/ Intervistë ekskluzive me z. Lirim Begzati, kandidat për Zgjedhjet kantonale 2025 në Neuchâtel/
Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Cyrih
„Votimi është akoma i hapur, edhe atë deri më 23 mars. Sipas një rregulle e cila mbizotëron në fushën e votimeve, të cilën duhet me e respektuar pa rezervë, votimet janë të lira dhe çdokush ka të drejtë të votojë për kandidatin apo personin e preferuar. Ky është dhe mesazhi parimor që i drejtohet votuesit potencial. Por, ndërkohë çdo kandidat ka të drejtë të kërkojë mbështetje në votime. Lidhur me pyetjen e parashtruar, kjo çështje debatohet edhe në të gjitha komunitetet tjera të huaja të cilat i gëzohen faktit se një person anëtar i komunitetit të tyre është paraqitur si kandidat”, na tha ndër të tjera z.Begzati.
Në prag të zgjedhjeve kantonale të 23 marsit 2025, kemi kënaqësinë të bisedojmë me z. Lirim Begzati, një emër i njohur për komunitetin shqiptar në Zvicër. Jurist, publicist dhe aktivist i angazhuar, ai kandidon për Parlamentin kantonal të Neuchâtelit, duke sjellë me vete një përvojë të pasur profesionale dhe një vizion të qartë për të ardhmen.
Përshëndetje, z. Begzati, faleminderit për këtë intervistë! Ju jeni kandidat për zgjedhjet kantonale në Neuchâtel. Për cilën parti do të garoni?
Faleminderit edhe juve, për angazhimin dhe përkushtimin tuaj ndaj çështjeve që i prekin interesat madhore të diasporës sonë. Garojë në Partinë socialiste, për një parti e cila, sipas vlerësimit tim, por edhe të shumë të tjerëve, është duke promovuar një politik e cila synon të ofrojë zgjidhje sa më adekuate, në përputhje me realitetet dhe nevojat e kohës në shoqërinë zvicerane.
Edhe pse shumë bashkatdhetarë ju njohin, si do t’ju prezantonit veten për ata që nuk ju njohin? Pse mendoni se ata duhet të votojnë për ju?
Jo më pak se tre dekada me qëndrim në kantonin Neuchâtel, pas kryerjes së studimeve universitare në drejtësi në këtë kanton në vitet e nëntëdhjeta, krahas ushtrimit të veprimtarive profesionale në administratën shtetërore, nuk më ka munguar asnjëherë vullneti dhe përkushtimi për mbrojtjen e interesave të gjithmbarshme identitare dhe kombëtarë të komunitetit tonë shqiptar të këtij kantoni, e me gjerë. Përmes mbështetjes së kandidaturës sime, mendoj se do të me jepej mundësia që t’i mbetem akoma më besnik një kontinuiteti të angazhimit tim në këtë drejtim.
Çfarë ju motivon të hyni në politikë dhe pse mendoni se duhet të fitoni në këto zgjedhje?
Politika e këtij shteti, me atributet e saj konsensuale, simbolizon një vlerë të çmuar të demokracisë zvicerane. Me qenë pjesëmarrës i këtyre proceseve, përveç se mund të jetë një nderë dhe privilegj, kjo parqet për mua edhe njëfarë detyrimi për me u përfshirë në aktivitete që i prekin interesat e gjithmbarshme, si të shtetasve të vendit ashtu edhe të huajve. Dëshira, por edhe kapacitetet profesionale për kontribut, besojë se nuk mungojnë, por duhet të them prapëseprapë atë se vendimi le të mbetet në duart e votueseve.
Sa është numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë kanton dhe cili është ndikimi i tyre në jetën politike dhe shoqërore?
Për arsye të shtimit të konsiderueshëm të bashkëvendësve që e kanë fituar shtetësinë zvicerane, vështirë me e ditur numrin e saktë, por flitet për disa mijëra shqiptarë. Jemi të përfshirë në aktivitete të ndryshme shoqërore (kulturore, sportive, etj.), por duket sadopak e zbehtë përfshirja në jetën politike, e kjo është për keqardhje.
Ju vini nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut. Në këtë pjesë të Zvicrës ka më shumë bashkëkombës nga Maqedonia apo nga Kosova?
Pa dyshim, është jashtëzakonisht më i lartë numri i bashkëvendësve që vijnë nga Kosova. Flitet vetëm për shifra simbolike për bashkëvendësit nga trojet tjera shqiptare. Jetojmë vërtetë në një harmoni të plotë, një traditë kjo e kamotshme në kantonin tonë.
Si mund të votojnë ata që nuk e kanë bërë këtë më parë? A mund ta përshkruani shkurt procesin e votimit?
Marrë parasysh përkatësinë në një parti, qëndrimi partiak është që të kërkohet nga votuesit që të votojnë një listë komplete, pra kompakte, për të gjithë kandidatët e prezantuar. Mirëpo, marrë parasysh edhe vullnetin personal të votuesve, ekziston natyrisht edhe mundësia që të votohet një kandidat apo disa kandidatë, sipas përzgjedhjes së lirë, duke e plotësuar lirshëm një listë të zbrazët që e hasim në materialin e votimit.
Pra, prej sot mund të votohet përmes postës?
Votimi është akoma i hapur, edhe atë deri më 23 mars.
“Dëshira ime do të ishte që të jem pra pjesë aktive dhe integruese e punëve që e presin kantonin tonë”
Nëse fitoni një mandat në Parlamentin kantonal, cila do të jetë puna juaj e parë?
Me siguri do të jetë përkushtimi për me i materializuar premtimet, dhe me punuar konkretisht, duke u fokusuar në dosjet kantonale që paraqesin një prioritet për katër vitet e ardhshme. Janë të shumta ata dosje që akoma janë të hapura dhe kërkojnë një qasje pragmatike dhe serioze. Dëshira ime do të ishte që të jem pra pjesë aktive dhe integruese e punëve që e presin kantonin tonë.
Keni kandiduar edhe më parë. Çfarë keni mësuar nga eksperiencat e kaluara dhe çfarë do të bëni ndryshe këtë herë?
Në kuadër të një kandidature është hetuar se popullata apo personat potencialisht të interesuar për të votuar duhet të informohen me kohë dhe ashtu siç duhet, duke përcjellë edhe mesazhe të qarta për ta kuptuar sa më mirë angazhimin, rolin, dhe kontributin që mund të japim, dhe që do t’i shkonin përshtati interesit të diversitetit të shoqërisë zvicerane dhe mirëqenies së përbashkët. Kësaj here, jam pra më tepër i përqendruar ndaj kësaj çështje.
Si jurist me përvojë në sistemin zviceran, padyshim keni ndihmuar dhe do të vazhdoni të ndihmoni bashkëkombësit tanë. Sa e rëndësishme është për komunitetin tonë të ketë një zë si ju në Parlament?
Nuk do të dëshiroja t’i jap vetes një epitet më tepër se sa duhet apo se sa e meritojmë, pasi kemi edhe shumë bashkëvendës të tjerë që janë duke dhënë apo mund të japin kontribute interesante në fushën politike. Për me patur një zë në Parlamentin kantonal, rëndësia mund të interpretohet së paku si simbolike, kur dihet se në ulëset e parlamenteve kantonale nuk reflektohet në një shkallë të kënaqshme diversiteti i këtij shteti.
Përveç politikës dhe drejtësisë, jeni edhe autor librash. Mendoni se do të keni kohë të vazhdoni të shkruani, ndërkohë që angazhoheni në politikë?
Vazhdimin e shkrimeve nuk e vë aspak në dilemë, përderisa është një çështje që paraqet një pasion të rëndësishëm në punën time të përditshme. Do ta konsideroja veten tejet egoist, shpirtërisht dhe profesionalisht, nëse do të fokusohesha vetëm në kontribute që e prekin kryesisht interesin e punës sime, në konsulencën sime juridike, dhe është pikërisht ky fakt ai i cili paraqet një shtytës që të përfshihem aktivisht edhe në veprimtari që e prekin interesin e diasporës dhe vendit të origjinës, kurse kjo natyrisht se mund të realizohet edhe përmes shkrimeve dhe krijimtarisë letrare.
Pse politika dhe çfarë ju shtyn të merreni me të?
Kjo me siguri i takon edhe natyrës së profesionit dhe karrierës sime në Zvicër. Në mes tjerash, nisur nga rrethanat aktuale shoqërore dhe politike në vendin ku jetojmë, nuk do të dëshiroja që ta mbajë vetëm rolin e një spektatori, duke qenë i mendimet se ekziston njëfarë potencial për me dhënë një kontribut personal dhe me qenë akterë i disa reformave të nevojshme kantonale.
Jeni i përfshirë edhe në fushën e noterisë dhe jeni pjesë e UINL (Unioni Ndërkombëtar i Noterisë Latine). A ka ndonjë shqiptar tjetër në këtë organizatë apo jeni i vetmi?
Ndoshta po, por nuk jam aq në dijeni për gjendjen aktuale të anëtarësimeve, kurse me siguri janë të shumtë ata profesionistë të noterisë nga trojet tona që do t’i plotësonin kushtet për me u kyçur në këtë institucion të lartë ndërkombëtar të familjes së noterisë latine, ku bëjnë pjesë edhe noteritë e vendeve tona.
Gjatë kësaj kohe fushate, a keni pasur takime me bashkatdhetarët tanë? Si është pritur kandidatura juaj?
Kemi realizuar takime të shumta dhe është konstatuar një mbështetje, duke u potencuar shpesh nga to fakti se këto zgjedhje paraqesin një rast të rëndësishëm për me e pasur bashkëkombësin e tyre në ulësen e këtij ligjvënësi të rëndësishëm kantonal.
Pse mendoni se shqiptarët e Neuchâtelit duhet të mobilizohen dhe të votojnë për ju?
Sipas një rregulle e cila mbizotëron në fushën e votimeve, të cilën duhet me e respektuar pa rezervë, votimet janë të lira dhe çdokush ka të drejtë të votojë për kandidatin apo personin e preferuar. Ky është dhe mesazhi parimor që i drejtohet votuesit potencial. Por, ndërkohë çdo kandidat ka të drejtë të kërkojë mbështetje në votime. Lidhur me pyetjen e parashtruar, kjo çështje debatohet edhe në të gjitha komunitetet tjera të huaja të cilat i gëzohen faktit se një person anëtar i komunitetit të tyre është paraqitur si kandidat.
Me përvojën tuaj në administratën zvicerane dhe si drejtues i një zyre juridike, si mund ta ndihmoni komunitetin tonë në mënyrë konkrete?
Krahas angazhimeve në profesionin tim, me përvojën e gjatë të profesionistit të drejtësisë në administratën zvicerane, mendoj se edhe politika paraqet një terren të përshtatshëm për ofrimin e një kontributi, ku më konkretisht do të mund të fokusohesha, në mes tjerash, edhe në kontribute që do t’i shkonin përshtati edhe komunitetit tonë.
Sipas jush, ku duhet të përqendrohet më shumë rinia shqiptare në Zvicër për të pasur sukses?
Suksese të ndryshme veç janë dëshmuar në fusha të ndryshme. Çdokush mund të jap kontributin e tij/saj në studime, punë, por edhe përmes formave të tjera. Nuk do të bënte keq edhe një inkurajim për një përfshirje më të theksuar në politikë!
Si e shihni gjeneratën e tretë dhe të katërt të shqiptarëve në Zvicër? Çfarë duhet bërë për ta forcuar identitetin e tyre kulturor?
Një pyetje kjo si komplekse ashtu edhe e rëndësishme, e cila kërkon një qasje serioze. Kërkohet më tepër punë, jo vetëm për me e promovuar gjuhen, identitetin dhe kulturën tonë, por edhe për me e parandaluar asimilimin e panevojshëm!
A ka kandidatë të tjerë shqiptarë që po garojnë në këto zgjedhje në Kantonin Neuchâtel?
Është edhe miku imë Belul Bajrami, një aktivist i palodhur në komunitetin tonë shqiptarë në Neuchâtel, i cili garon në një parti tjetër (Të Gjelbrit-Liberalë). Natyrisht se, edhe pse disa bindje politike dallojnë në mes nesh, synimi dhe objektivet tona në politik kanë shumë pika të përbashkëta, sidomos në këndvështrimin e mbrojtjes së interesave dhe vlerave të komunitetit tonë.
Cila do të jetë fjala juaj e parë në Parlamentin e Neuchâtelit, nëse fitoni?
Sot nuk mund të shpreh një idealizëm të tepruar kur dihet se fitimi i një ulëse në këtë nivel është tejet i vështirë. Me siguri se fjala e parë do të lidhej me ndonjë temë që do t’i prekte çështjet konkrete që e preokupojnë misionin kryesor të një Parlamenti. Me siguri nuk do të imitoja disa akterë politikë të trojeve tona, të cilët duket se shprehin një kënaqësi (por edhe krenari!) për me kritikuar njëri tjetrën, e duke harruar ndërkohë prioritetet madhore të interesit të gjithmbarshëm të vendit!
Për fund, cili është mesazhi juaj për bashkatdhetarët tanë që do të votojnë më 23 mars?
Sipas statistikave dhe një imazhi që qarkullon, personat me origjinë të huaj, ku përfshihen edhe shqiptarët, nuk kanë një traditë të madhe votimi. Mesazhi imë është që të votojnë. Por iu drejtohem edhe me mesazhin se e drejta e votës është e lirë, pra për të votuar apo jo për dikë. Ju falënderoj për mbështetjen e helveticalforum. Po këtu e përfundojë edhe me thënien se natyrisht do të isha shumë mirënjohës dhe iu falënderohem paraprakisht të gjithë atyre bashkëkombësve të kantonit Neuchâtel që do t’i besojnë kandidaturës sime. Në rast suksesi, nuk besojë se do të zhgënjehen!
Të urojmë suksese dhe po besojmë shumë se do të kemi Lirim Begzati në Parlamentin kantonal të Neuchâtelit.
helveticALforum