/ Nga: PhD. Dashnim HEBIBI, Cyrih/
Mërgata – Zemra e Kombit që Rreh Larg, por Kurrë Nuk Harrohet
Të nderuar bashkatdhetarë, të nderuar lexues,
Me kënaqësi ju prezantoj rubrikën e re “9 Minuta me Dashnimin”, një hapësirë e dedikuar për biseda të shkurtra, por me peshë, me personalitete të shquara të diasporës sonë.
Ne nuk duhet të kujtojmë mërgatën vetëm kur ka zgjedhje apo kur nevojiten ndihmat e saj. Ju, që për dekada keni mbajtur familjet tuaja dhe keni ndihmuar atdheun, meritoni më shumë. Jeni ju që keni ndarë nga goja një copë bukë për Kosovën. Jeni ju që flini dhe zgjoheni me ëndrra për vendlindjen. Jeni arteria kryesore e kombit, jeni ajka e shqiptarisë!
Në këtë rubrikë do të sjellim histori suksesi dhe sakrifice nga diaspora – jo vetëm për të ndarë të kaluarën, por për të frymëzuar gjeneratat e reja që po rriten larg vendlindjes. Derisa të realizojmë podcastin tonë në YouTube dhe platforma të tjera, këtë rrugëtim po e fillojmë me shkrime në portal, për t’u zgjeruar më pas me biseda vizuale dhe intervista të thelluara.
“Jeni heronjtë tanë të heshtur”
“9 Minuta me Dashnimin” është një hapësirë e re që po krijojmë për të ndarë me ju biseda të shkurtra dhe frymëzuese me atdhetarë dhe personalitete të shquara të diasporës tonë. Ju që keni dhënë gjithçka për të mbajtur të gjallë lidhjen me atdheun dhe që keni kontribuar për zhvillimin e shoqërive ku jetoni, jeni heronjtë tanë të heshtur, dhe është koha t’i japim hapsirë dhe vlerësim më të madh.
Në këtë rubrikë, do të ndajmë me ju histori suksesi, përkushtimi dhe sakrifice, të cilat janë shembuj frymëzimi për brezat që rriten larg trojeve tona. Deri sa të realizojmë podcastin dhe prezantimet tona video, do të vazhdojmë të ndajmë këto histori të shquara me ju përmes shkrimeve në portalin tonë.
Në këtë episod të parë, do të nisim këtë rrugëtim me një emër të njohur të diasporës – z. Rrustem Aliaj, një personalitet i spikatur i njohur për atdhetarinë e tij të palëkundur, bamirësinë dhe suksesin e tij si afarist.
Takimi i parë: Rrustem Aliaj – Afarist, Bamirës dhe Atdhetar
Spreitenbach, 31 Mars: Një ditë me diell në fillim prilli
(Në foton e mëposhtme: Rrustem Aliaj dhe Dashnim Hebibi gjatë takimit të sotëm)

Për të nisur këtë rrugëtim, ndalova për 9 minuta me një personalitet të shquar të diasporës, z. Rrustem Aliaj, presidentin e kompanisë ajrore “Malësia Reisen” në Spreitenbach të Zvicrës.

Një emër që qëndron pas një kompanie të suksesshme që ka transportuar miliona pasagjerë dhe ka ndërtuar një reputacion të fortë për besueshmëri dhe profesionalizëm. Por përtej biznesit, Rrustem Aliaj është një bamirës dhe atdhetar i madh.

Në agjencinë e tij, në aeroport, në çdo angazhim, ai punon me përkushtim, së bashku me bashkëshorten znj. Dashurie dhe fëmijët e tyre. E për ata që udhëtojnë shpesh, edhe Idrizi, vëllai i tij, është një figurë e njohur në aeroportin e Cyrihut.

Por një detaj i veçantë më bëri përshtypje: në shtëpinë e tij, Rrustem Aliaj ka një vizatim të punuar nga një artist nga Kosova, një pikturë që e rikthen në kujtimet e fëmijërisë.
Një dëshmi e lidhjes së tij të pandashme me rrënjët.
Një Rrugëtim nga Sakrifica në Sukses
Data e lindjes dhe vendlindja:
Rrustem Aliaj ka lindur më 4 mars 1953, në Maçitevë të Suharekës.
Arsimi dhe vendimi për të emigruar:
“Kam kryer shkollën e lartë për menaxhim. E lashë Kosovën shumë i ri, sepse shtypja e regjimit serb po bëhej gjithnjë e më e rëndë. Emigrimi nuk ishte një zgjedhje e lehtë, por ishte i domosdoshëm. Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, nisa nga puna e rëndomtë dhe gradualisht ndërtova një rrugë suksesi.”

Sfidat e para në mërgim:
“Vështirësitë ishin të panumërta. Gjuha, ambienti i ri, puna e vështirë. Mërgimi nuk është mjaltë, siç mendojnë disa. Por me përkushtim dhe punë të ndershme, çdo sfidë mund të kalohet.”
Lidhja me atdheun:
“Ende i shoh ëndrrat në Kosovë. Nuk ka ditë që nuk mendoj për vendlindjen. Kam investuar në Kosovë dhe do të vazhdoj të kontribuoj. Nuk duhet ta harrojmë nga vijmë, por duhet ta forcojmë edhe gjeneratën e re, që të mbajë gjallë lidhjen me gjuhën dhe kulturën tonë.”

( Foto kujtimi me Legjendën e futbollit të Kosovës dhe njëherit ish kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, tashmë i ndjerë dhe në anën e majtë me Presidentin e Federatës së Futbollit, Armand Duka. Z.Rrustem Aliaj ishte edhe Presidenti i klubit të FC.Suhareka)
Diaspora dhe vendimmarrja në trojet shqiptare:
“Mërgata shqiptare ka dhënë shumë, por shpeshherë është parë vetëm si një burim të ardhurash. Ne nuk jemi vetëm një bankë për atdheun – jemi një forcë e madhe që duhet të përfshihet në vendimmarrje, në parlamentet e shteteve shqiptare dhe në ndërtimin e një të ardhme më të mirë.”

Mesazhi për të rinjtë:
“Të rinjtë duhet të mësojnë, të punojnë dhe të jenë të ndershëm. Të mos e harrojnë kurrë gjuhën dhe kulturën e tyre. Të përfitojnë nga mundësitë në vendet ku jetojnë, por gjithmonë të ruajnë rrënjët e tyre.”
Një Histori që Vazhdojnë të Frymëzojnë
Biseda me Rrustem Aliajn është vetëm fillimi i kësaj rubrike. “9 Minuta me Dashnimin” do të sjellë çdo ditë histori të ngjashme – të njerëzve që kanë dhënë shumë për kombin, por shpeshherë nuk janë në qendër të vëmendjes.

Ne nuk do të ndalemi vetëm te suksesi, por edhe te mësimet që këto personalitete mund të ndajnë me gjeneratat e reja. Të gjithë ata që kanë kontribuar për atdheun dhe nuk kanë dashur të flasin për veten, tani duhet të flasin – sepse historia e tyre është frymëzim për të ardhmen.
Ne nuk jemi këtu për të fituar të mira materiale nga këto histori, por për të nxjerrë përvoja dhe mësime që mund të frymëzojnë të tjerët.
Mërgata shqiptare është dhe do të mbetet një forcë e pashtershme për atdheun. Dhe ne duhet ta vlerësojmë atë jo vetëm me fjalë, por me vepra.
“9 Minuta me Dashnimin” vazhdon…

Në shkrimin e radhës, do të sjellim një tjetër histori suksesi nga diaspora.
A jeni ju një nga ata që keni dhënë shumë për kombin dhe keni një histori për të ndarë?
Na kontaktoni dhe bëhuni pjesë e kësaj rubrike!
Email: edasnim@gmail.com
9 minuta me Dashnimin vazhdon…
Enkas për SAM24.info




