
Screenshot
Nga: Dashnim HEBIBI
Zürich, 21 gusht 2026 – Sa herë shoh në rrjetet sociale postime me tavolina të mbushura me ushqime, festa luksoze apo një jetë të shfaqur në tepricë, nuk mund të mos mendoj për ata që mezi sigurojnë ushqimin e përditshëm. Secili ka të drejtë të gëzojë atë që ka dhe të ndajë momente të bukura me të tjerët. Por, krahas kësaj lirie, le të mos harrojmë edhe ndjeshmërinë, masën dhe përgjegjësinë njerëzore. Varfëria nuk është gjithmonë e dukshme. Ajo nuk ecën gjithmonë me rroba të grisura dhe nuk shfaqet në rrjete sociale. Shpesh fshihet pas një dere të mbyllur, pas një buzëqeshjeje të detyruar dhe pas heshtjes së një prindi që nuk dëshiron t’u tregojë fëmijëve se familja nuk ka mundësi. Ka njerëz që flenë me shqetësimin se çfarë do të hanë të nesërmen, prindër që heqin dorë nga nevojat e tyre për t’u siguruar fëmijëve një kafshatë bukë, barna apo mjete shkollore.
Varfëria nuk është zgjedhje dhe nevoja nuk duhet të jetë turp.
Askush nuk e di se çfarë rrethanash mund ta çojnë një familje nga një jetë normale në një situatë ku çdo frangë bëhet e rëndësishme. Humbja e një pune, sëmundja, një fatkeqësi familjare apo thjesht pamundësia për të përballuar shpenzimet mund ta ndryshojë jetën e një njeriu. Për shumë bashkëkombës tanë, pamjet e bollëkut nuk janë thjesht fotografi. Ato mund të jenë kujtime të një realiteti të dhimbshëm: të një familjeje që nuk ka mundësi të blejë barna, të një prindi që nuk mund t’i sigurojë fëmijës çantën apo librat e shkollës, apo të një studenti që përpiqet të vazhdojë shkollimin me mundësi të kufizuara.
Si kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”, me qendër në Zvicër, këtë realitet e shohim nga afër. Kemi dëgjuar dhe përjetuar rrëfime që të prekin thellë. Ka njerëz që kanë shumë dëshira e nevoja, por shumë pak mundësi për t’i përmbushur ato. Dhe shpesh, më e dhimbshmja është se nuk kërkojnë ndihmë, jo sepse nuk kanë nevojë, por sepse i pengon dinjiteti, turpi dhe nderi.
Populli ynë është dalluar ndër breza për bujarinë, mikpritjen dhe gatishmërinë për t’i dalë në krah njëri-tjetrit. Kjo është një pasuri që nuk duhet ta humbim. Në një kohë kur rrjetet sociale na shtyjnë gjithnjë e më shumë drejt krahasimit, shfaqjes dhe garës për të treguar se kush ka më shumë, duhet të kujtojmë se vlera e njeriut nuk matet me atë që shfaq, por me atë që bën për të tjerët. Prandaj kjo nuk është një kritikë ndaj askujt dhe as një përpjekje për t’ia kufizuar kujtdo gëzimin. Është vetëm një thirrje për pak më shumë vetëdije dhe ndjeshmëri. Sepse, ndërsa dikush shtron një tavolinë të bollshme, diku tjetër një nënë mund të jetë duke menduar se si do t’i blejë ilaçet fëmijës së saj. Ndërsa dikush feston me bollëk, një student mund të jetë duke llogaritur nëse ka mundësi ta vazhdojë shkollimin. Dhe ndërsa ne shohim një fotografi të bukur, pas saj mund të fshihet një realitet që nuk duket.
Solidariteti është vepër, jo vetëm fjalë.
Është një çati mbi kokën e dikujt. Është një pako ushqimore për një familje në nevojë. Është një libër apo një çantë për një fëmijë.
Është ndihma për një student që dëshiron të arsimohet. Është për një jetim Është kujdesi për familjet e dëshmorëve. Është edhe respekti për ata që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin tonë.
Shoqata jonë funksionon me një anëtarësi simbolike prej 30 frangash në vit. Mjetet e mbledhura dhe donacionet destinohen për njerëzit që kanë nevojë dhe aktivitetet tona synojmë t’i zhvillojmë me transparencë dhe përgjegjësi. Gjatë punës sonë kemi ndihmuar familje dëshmorësh, studentë, fëmijë jetimë dhe familje në vështirësi. Një pjesë e rëndësishme e angazhimit tonë është edhe kujdesi për varret e dëshmorëve, përfshirë mirëmbajtjen dhe ndërrimin e flamurit kombëtar aty ku prehen ata që sakrifikuan për atdheun.Le të mos harrojmë se nuk është turp të jesh i varfër dhe të kesh nevojë për ndihmë. Turp do të ishte të kemi mundësi të ndihmojmë dhe të zgjedhim të mos e shohim dhimbjen e tjetrit. Le të jemi më të kujdesshëm me atë që ndajmë publikisht, jo nga frika e gjykimit, por nga respekti për ata që jetojnë një realitet tjetër. Le të gjejmë një ekuilibër mes gëzimit tonë personal dhe përgjegjësisë sonë shoqërore. Ky është vetëm një mesazh i sinqertë, me respekt dhe mirëkuptim, nga njëri prej jush që nuk ka asgjë personale me askënd. Është vetëm një lutje për më shumë vetëdije, më shumë solidaritet dhe më shumë njerëzillëk. Sepse kënaqësia është çështje personale, por ndjeshmëria është përgjegjësi njerëzore. Të mos harrojmë njëri-tjetrin. Të mos e lëmë varfërinë të bëhet e padukshme vetëm sepse nuk na prek drejtpërdrejt.
Zoti ju bekoftë të gjithëve!










