BallinaAtdheu397 kadetë diplomojnë në Policinë e Kosovës, Kurti: Integriteti dhe profesionalizmi duhet...

397 kadetë diplomojnë në Policinë e Kosovës, Kurti: Integriteti dhe profesionalizmi duhet të jenë udhërrëfyesi juaj

-

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar 397 kadetët e gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, të cilët përfunduan me sukses trajnimin dhe diplomuan në një ceremoni zyrtare. Ai u bëri thirrje kadetëve që gjatë shërbimit të tyre të udhëhiqen nga ndershmëria, përgjegjësia, disiplina dhe integriteti profesional.

Në ceremoninë e diplomimit, Kurti vlerësoi rolin e Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve, duke theksuar se shërbimi në këtë institucion përbën nder dhe përgjegjësi të lartë ndaj shtetit dhe shoqërisë.

Nga gjithsej 397 kadetët e diplomuar, 118 janë gra dhe 279 burra. Kryeministri e cilësoi si lajm të mirë pjesëmarrjen e konsiderueshme të grave në këtë gjeneratë, duke theksuar se pothuajse çdo i treti pjesëtar i saj është grua.

Gjatë fjalës së tij, Kurti përmendi edhe dy kadetët Sokol Zymberi dhe Jetlum Bunjaku, djemtë e heronjve të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku, të cilët tashmë po ndjekin rrugën e prindërve të tyre në shërbim të rendit dhe ligjit.

Ai kërkoi nga kadetët që të mos harrojnë kontributin dhe sakrificën e pjesëtarëve të Policisë që kanë rënë në krye të detyrës, duke i cilësuar ata si shembull të përkushtimit dhe përgjegjësisë ndaj vendit.

Kurti foli edhe për mbështetjen e Qeverisë ndaj Policisë së Kosovës, duke bërë të ditur se gjatë pesë viteve të fundit buxheti për këtë institucion është rritur për më shumë se 50 për qind.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar dhe fuqizuar 20 stacione, objekte dhe baza policore në pjesën veriore të vendit. Po ashtu, Policia është pajisur me armatim të ri, automjete dhe autoblinda, me vlerë prej gati tetë milionë eurosh.

Kryeministri vlerësoi se angazhimi i Policisë në veri të vendit ka kontribuar edhe në identifikimin e tri varrezave masive nga lufta e fundit, në fshatrat Kalludra e Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Megjithatë, ai theksoi se rezultatet e arritura në fushën e sigurisë nuk duhet të krijojnë vetëkënaqësi, pasi para institucioneve të sigurisë mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Në përfundim, Kurti u bëri thirrje 397 kadetëve që betimin dhe uniformën e Policisë t’i konsiderojnë si përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Ai i cilësoi kadetët e rinj si pjesë të rëndësishme të së ardhmes së Policisë së Kosovës, duke theksuar se profesionalizmi, ndershmëria dhe përkushtimi duhet të jenë parimet themelore të karrierës së tyre policore, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Lajm i mirë për shqiptarët në Zvicër: Gjermania drejt heqjes së...

0
Blerjet në Gjermani mund të bëhen edhe më të leverdishme për qytetarët që jetojnë në Zvicër. Qeveria gjermane planifikon të heqë kufirin minimal prej...