1.3 C
Zurich
Tuesday, November 18, 2025
spot_img
spot_img

11 Tetor 2025— Cyrihu i Bardhë

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

…bërtita,

bërtita,

sa munda — në mes të Cyrihut.

Dhe e pashë mirë,

si po lindte dita,

si po ndizej qielli me ngjyra,

si po më zgjonte shpirti me një zë të vetëm —

të bardhën.

Qielli përplot me ngjyra,

por vetëm ajo më foli.

E bardha — si heshtje që merr frymë,

si fjalë që nuk lind, por kuptohet.

E pyeta me zemër,

çka të tha qielli sot?

Dhe ajo m’u përgjigj me dritë, pa fjalë:

“Dashuri.

Pajtueshmëri.

Mirësi.

Një jetë e kemi,

ta jetojmë pa hije.”

E ndjeva botën të më bëhej më e lehtë,

si një kujtim që më fal paqe,

si një shpresë që më mëson të dua sërish.

Qytet i qetë,

i bukur,

i përkryer në heshtje —

por unë e ndjeva zhurmën time brenda.

Kafshova buzën e rinisë

dhe m’u duk vetja

në Livadhet e Shehut,

mbi Preshevën e bukur,

ku bari flet me erën,

e dielli hap sytë ngadalë mbi fëmijërinë time.

Fola me batanijen e qiellit,

si dikur,

kur çdo yll kishte emër të njohur,

kur mallin e shkruaja me gishta në ajër

dhe ai më përgjigjej me një frymë.

Mall, sa mall…

e thirra,

e thirra përsëri,

por kot —

britma e Cyrihut është ndryshe.

E pastër, e ftohtë, e huaj.

Si një pasqyrë që të refuzon,

por të mban në kujtesë.

Ah, Preshevë e bukura Preshevë,

më e ngrohtë se zemra e Cyrihut,

më e butë se drita mbi Paris!

më e vërtetë se çdo përrallë që më ka rritur.

“Puthi sytë, po deshe edhe ballin,”

më tha një kujtim nga vjeshta e vitit 1995,

kur koha ecte zbathur mbi gjethe,

dhe dashuria kishte aromë balte e shiu.

Vjeshtë…

ti ke bukurinë e rrallë të mallit,

si këngë që s’ka fjalë,

por di të të prekë në shpirt.

E ndërsa muzika më mbështjell me melodinë e saj,

ndjej se çdo rrahje zemre dashurohet me tjetrën,

pa urdhër, pa arsye, pa matje.

Në Cyrih, nën një qiell të bardhë,

unë e dëgjova veten të flas me yjet,

dhe ata më thanë:

“Mos harro —

një shpirt nuk ka adresë,

ai vetëm udhëton.

Dhe çdo rrugë që të çon në dashuri,

të kthen në shtëpi.”

Dhe unë heshta.

Sepse ndjeva se malli,

dashuria

dhe e bardha —

janë e njëjta frymë,

që s’ka emër,

por ka zemër.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit