Swiss dhe Edelweiss, në bashkëpunim me Lufthansa Group, po zbatojnë rregulla të reja për marrjen dhe përdorimin e powerbankave në bord, të cilat hyjnë në fuqi më 15 janar. Sipas rregullave të reja, ndalohet karikimi i pajisjeve elektronike me powerbank gjatë fluturimit, si dhe karikimi i vetë powerbankave përmes energjisë elektrike të avionit, transmeton 20min.ch. Çdo pasagjer lejohet të mbajë maksimalisht dy powerbanka. Ato nuk duhet të vendosen në ndarjet e bagazheve mbi sedilje, por duhet të mbahen në trup, në xhepin e sediljes ose nën sediljen përpara.
Powerbankat në bagazhin e regjistruar mbeten të ndaluara. Kapaciteti maksimal i lejuar i baterisë është 100 vat-orë (Wh). Pajisjet me kapacitet nga 100 deri në 160 Wh lejohen vetëm me autorizim paraprak të kompanisë ajrore. Përdorimi i powerbankave për pajisje mjekësore thelbësore vazhdon të lejohet. Sipas Swiss dhe Edelweiss, këto masa synojnë rritjen e sigurisë në bord, pasi bateritë me litium paraqesin rrezik potencial zjarri në rast defekti. Rregullat e reja bazohen në rekomandimet e autoriteteve ndërkombëtare të aviacionit si EASA, FAA, IATA dhe ICAO, dhe vlejnë gjithashtu edhe për pajisje të tjera elektronike, përfshirë cigaret elektronike.
Pikat kryesore të rregullave:
- Maksimumi dy powerbanka për person
- Ndalohet karikimi i pajisjeve me powerbank gjatë fluturimit
- Ndalohet karikimi i powerbankave nga energjia e avionit
- Lejohet përdorimi për pajisje mjekësore të domosdoshme
- Nuk lejohen në ndarjet mbi sedilje; vetëm nën sedilje, në xhepin e sediljes ose në trup
- Kapacitet maksimal: 100 Wh
- 100–160 Wh vetëm me leje të kompanisë ajrore
- Rregullat vlejnë edhe për cigaret elektronike, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)




