Tregu i punës në Zvicër po përballet me një tjetër rritje të ndjeshme të papunësisë. Sipas të dhënave të publikuara nga Sekretariati Shtetëror për Ekonomi (SECO), numri i personave të regjistruar si të papunë në RAV arriti në 139’752 gjatë muajit nëntor – 17’746 më shumë se një vit më parë. Kjo përkthehet në një rritje vjetore prej 14,7 për qind.
Industria zvicerane po përjeton vështirësi të theksuara, për shkak të pasigurive doganore dhe forcimit të frangut. Efektet pasqyrohen qartë në tregun e punës, ku rritja e papunësisë është ndjerë vazhdimisht gjatë dy viteve të fundit. Për krahasim, nëntorin e vitit 2024 papunësia ishte rritur me 23,6 për qind, ndërsa dy vite më parë rritja kishte qenë ende njëshifrore.
Nëntorin e këtij viti, norma e përgjithshme e papunësisë u rrit nga 2,6 në 3 për qind. Ndikimi është veçanërisht i dukshëm tek të rinjtë: në grupmoshën 15–24 vjeç, numri i të papunëve u rrit me 13,4 për qind, duke arritur në 13’397 persona. Norma e papunësisë së të rinjve është tashmë 3,1 për qind, pra 0,5 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Edhe grupmosha 50–64 vjeç u prek dukshëm, me një rritje prej 14,1 për qind dhe një total prej 38’234 personash të papunë. Norma e papunësisë për këtë kategori arriti në 2,6 për qind.
Rritje ka shënuar edhe numri i personave të cilët kërkojnë punë në përgjithësi – jo vetëm ata të regjistruar si të papunë. Në total, Zvicra ka aktualisht 225’884 persona në kërkim pune, një rritje prej 13,6 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Norma e personave në kërkim pune arriti në 4,8 për qind, duke u rritur me gjysmë për qindjeje brenda vitit, transmeton 20min.ch.Ndërkohë që ofertat për vende pune kanë mbetur pothuajse të pandryshuara – me 32’670 pozicione të hapura në RAV, vetëm 0,7 për qind më pak se një vit më parë – është rritur ndjeshëm numri i personave në punë të shkurtuar. Nga 6’084 persona në 356 ndërmarrje në shtator 2024, numri ka arritur në 8’592 persona në 535 ndërmarrje në gusht 2025.
Autoritetet ekonomike paralajmërojnë se tendenca e tanishme pritet të vazhdojë, ndërsa kompanitë përballen me presione të rritura në sektorët e eksportit dhe të prodhimit, transmeton 20min.ch e përgatiti helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)




