Australia ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 16 vjeç. Ky vendim, që prek platforma si TikTok, Instagram dhe Snapchat, ka shkaktuar debat ndërkombëtar. Qëllimi kryesor i autoriteteve australiane është mbrojtja e të miturve nga përmbajtjet e dëmshme, veçanërisht ato që përhapen përmes algoritmeve të personalizuara.
Në qendër të kritikave është shpesh platforma TikTok. Sipas hulumtimeve të mediave, studiuesve dhe autoriteteve mbikëqyrëse, algoritmi i saj u shfaq përdoruesve përmbajtje bazuar në sjelljen e tyre. Kjo bën që të rinjtë të futen shpejt në të ashtuquajturat “rrethe tematike”, ku u shfaqen vazhdimisht video me përmbajtje të ngjashme. Shpesh përmenden video që lidhen me vetëlëndimin.
Sipas ekspertëve, mjaftojnë edhe ndërveprime shumë të shkurtra që algoritmi të intensifikojë shfaqjen e këtyre përmbajtjeve. TikTok i mohon këto akuza dhe thekson se ka mekanizma moderimi dhe oferta ndihme për përdoruesit.
Baume-Schneider e hapur ndaj ndalimit të rrjeteve sociale
Edhe në Zvicër, ministrja e Brendshme Elisabeth Baume-Schneider (PS) shprehet e hapur ndaj mundësisë së një ndalimi të rrjeteve sociale për fëmijët. Në një intervistë për gazetën SonntagsBlick, ajo thekson se fëmijët duhet të mbrohen më mirë. Aktualisht, Këshilli Federal po punon për një raport mbi këtë çështje dhe një ligj i ri për rregullimin e platformave digjitale është në proces konsultimi publik.
“Ne duhet t’i mbrojmë më mirë fëmijët tanë”, deklaron Baume-Schneider. Ajo përmend rreziqe si çrregullimet e të ngrënit, glorifikimin e dhunës dhe pornografinë e fëmijëve. Sipas saj, algoritmet e rrjeteve sociale mund t’i përforcojnë këto efekte negative.
Përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve
Ministrja bën një dallim të qartë mes grupmoshave. Sipas saj, telefonat inteligjentë nuk janë të përshtatshëm për fëmijët e vegjël, ndërsa për adoleshentët shpesh janë të domosdoshëm. Ajo thekson rëndësinë e rolit të prindërve dhe të shoqërimit të fëmijëve në përdorimin e teknologjisë. “Nuk ka kuptim që prindërit të ndalojnë diçka, nëse vetë janë vazhdimisht me telefon në dorë”, shton ajo, transmeton 20min.ch. Baume-Schneider ngre gjithashtu çështjen e përgjegjësisë së platformave digjitale.
Sipas saj, duhet sqaruar se çfarë duhet rregulluar konkretisht: përdorimi nga fëmijët, shpërndarja e përmbajtjeve të rrezikshme apo algoritmet që shfrytëzojnë qëllimisht ndjeshmërinë e të rinjve. Këto tema pritet të diskutohen më thellë gjatë vitit të ardhshëm.
Aktualisht, Ligji Federal për Platformat e Komunikimit është në fazën e konsultimit. Me këtë ligj, Këshilli Federal synon të forcojë rregullimin e platformave. Baume-Schneider thekson se Zvicra mban përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve dhe se interesat e korporatave në Kaliforni apo Kinë nuk duhet të jenë vendimtare, transmeton 20min.ch, përgatiti hevlveticALforum.ch (Foto ilustrim)




