Nga 1 prilli 2026, në të gjithë Zvicrën do të hyjë në fuqi ndalimi për ndezjen e mjeteve piroteknike në hapësira të hapura për publikun. Vendimi është marrë nga organi i Konkordatit të drejtoreshave dhe drejtorëve të ndërtimit të të gjitha 26 kantoneve, i njohur si IOTH. Sipas njoftimit të bërë të premten, masa është ndërmarrë si një hap i menjëhershëm për të rritur sigurinë nga zjarret. Gjatë periudhës së ndalimit, autoritetet do të rishikojnë rregullat e mbrojtjes nga zjarri, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në vjeshtën e vitit 2027, transmeton 20min.ch. Ndalimi vlen për ndezjen e piroteknikës në të gjitha hapësirat që janë të aksesueshme për publikun.
Megjithatë, përjashtim do të bëjnë kategoritë e fishekzjarreve që edhe më parë kërkonin leje të veçantë nga autoritetet. Sipas IOTH-it, gjatë konsultimit teknik për rishikimin e plotë të rregullave të mbrojtjes nga zjarri janë pranuar mbi 11 mijë komente dhe reagime. Për shkak të këtij numri të madh të përgjigjeve, autoritetet kanë vendosur të marrin më shumë kohë për shqyrtimin e tyre. Po ashtu, në procesin e rishikimit do të merren parasysh edhe rezultatet e hetimeve që janë ende në zhvillim lidhur me rastin tragjik të zjarrit në Crans-Montana, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.
Foto ilustrim




