Përgatiti Dashnim HEBIBI
Obwalden, 03 dhjetor 2025 – Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, zhvilloi sot një takim zyrtar me Presidentin e Qeverisë së Kantonit Obwalden, z. Daniel Wyler, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm institucional.
Ky takim vjen pas angazhimeve të vazhdueshme të diplomatit kosovar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në përfaqësimin dinjitoz të komunitetit shqiptar, i cili prej dekadash kontribuon fuqishëm në shoqërinë zvicerane.
Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, pas disa takimeve të rëndësishme me miq dhe partnerë zviceranë, realizoi sot edhe një takim me peshë të veçantë institucional.
Zvicra mbetet atdheu i dytë për shqiptarët që jetojnë e veprojnë në shtetin helvetik—kontribuues të çmuar dhe një imazh i shkëlqyer i komunitetit tonë. Në këtë frymë, takimi i sotëm shënoi edhe një hap tjetër në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve zvicerane dhe komunitetit shqiptar që jeton në këtë kanton.
Lidhur me takimin, z. Berisha deklaroi:
“Sot pata nderin të pritem nga Presidenti i Qeverisë Kantonale të Obwalden, z. Daniel Wyler.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të përzemërt dhe konstruktive, me fokus në avancimin e bashkëpunimit dypalësh si dhe në vlerësimin e rolit të rëndësishëm që komuniteti ynë në Obwalden luan në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona. I shpreha z. Wyler mirënjohjen për mikpritjen dhe gatishmërinë për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin.”, transmeton helveticALforum.ch.

Ky takim konfirmon edhe një herë rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me autoritetet helvetike.
Dialogu i hapur dhe vlerësimi i ndërsjellë mbeten themeli i forcimit të lidhjeve midis dy vendeve, ndërsa angazhimi i z. Berisha dëshmon vendosmërinë për të mbështetur çdo hap që kontribuon në integrimin, mirëqenien dhe përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në Zvicër. / helveticALforum.ch
Foto në ballinë është ilustrim nga Parlamenti Zviceran (D.H)




