Paraja në dorë po fiton sërish popullaritet. Por kjo nuk vlen për monedhën më të vogël. Monedha prej 5 rappësh për shumë njerëz është bërë e parëndësishme.
Në Zvicër zakonisht nuk flitet për para. Megjithatë është e qartë: popullsia zvicerane e do paranë fizike, edhe nëse e përdor gjithnjë e më pak. Një ndalim i pagesave me para në tregun e Krishtlindjeve “Polarzauber” në Cyrih u desh të hiqej pas një vale të fortë reagimesh. Kompanitë dhe restorantet që refuzojnë pagesat me para shpesh përballen me kritika të mëdha.
Aq më tepër habit fakti se shumica e njerëzve në Zvicër e mirëpret heqjen e monedhës prej 5 rappenësh. 54 për qind janë pro heqjes së njësisë më të vogël monetare zvicerane, sipas një sondazhi të Universitetit të St. Gallenit të kryer për llogari të tregtarit të arit Philoro, me mbi 3000 pjesëmarrës.

Në disa rajone të Zvicrës, monedha prej 5 rappenësh është edhe më pak e pëlqyer. Në Zvicrën frëngjishtfolëse, 68 për qind janë për heqjen e saj, ndërsa në Ticino madje 80 për qind. Në Zvicrën gjermanishtfolëse mendimet janë të ndara.
Paraja fizike po bëhet më e popullarizuar
Monedha prej 5 rappenësh zë një vend të veçantë për shkak të popullaritetit të saj të ulët. Në përgjithësi, mbështetja për ruajtjen e parasë fizike është rritur vitet e fundit. Në sondazhin e vitit 2025 vetëm 11,2 për qind e të anketuarve mbështetën heqjen e parasë fizike; në vitin 2024 ishin 12,4 për qind dhe në vitin 2023 madje 28 për qind, transmeton 20min.ch. Edhe këtu ka dallime rajonale: në sondazhin e vitit 2025 në Ticino 21,5 për qind janë për heqjen e parasë fizike, në Zvicrën frëngjishtfolëse 13 për qind, ndërsa në zonën gjermanishtfolëse 9,8 për qind.
Sipas CEO-s së Philoro, Christian Brenner, çështja e monedhës prej 5 rappenësh dhe çështja e parasë fizike shkojnë në drejtime të ndryshme. “Te monedha prej 5 rappenësh bëhet fjalë për vendimin nëse një monedhë me vlerë kaq të ulët nominale është ende e nevojshme, ndërsa te paraja fizike bëhet fjalë për shumë më tepër”, thotë ai. Paraja fizike përfaqëson vetëvendosjen, privatësinë dhe disponueshmërinë e menjëhershme – pavarësisht teknologjisë, energjisë elektrike apo palëve të treta. Prandaj nuk është çudi që në Zvicër është nisur edhe iniciativa për mbrojtjen e parasë fizike, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch




