Pas aksidentit në Crans-Montana, disa të plagosur kanë djegie mbi 70% të sipërfaqes së trupit. Në këto raste, lëkura e djegur duhet zëvendësuar sa më shpejt për të shpëtuar jetën dhe për të parandaluar infeksionet. Por nga vjen kjo lëkurë?
Çfarë bën lëkura jonë?
Lëkura përbëhet nga disa shtresa:
- Epidermisi (shtresa e jashtme): prodhon qeliza të reja të lëkurës.
- Dermisi: përmban receptorë për dhimbje, presion, të ftohtë e nxehtë, enë gjaku e limfatike për rregullimin e temperaturës, si dhe qeliza të sistemit imunitar.
- Subkutisi: lidh lëkurën me indet poshtë saj.
Lëkura mbron nga nxehtësia, i ftohti, rrezatimi, dëmtimet mekanike e kimike dhe luan rol kyç në balancën e ujit dhe temperaturës përmes djersitjes.
Pse lëkura e djegur duhet zëvendësuar shpejt
Për të rikthyer funksionet mbrojtëse dhe për të shmangur infeksionet, plagët e djegura mbulohen sa më shpejt me lëkurë vetjake ose lëkurë donatori. Spitalet zvicerane kanë banka lëkure të specializuara dhe, kur është e nevojshme, porosisin lëkurë edhe nga jashtë vendit (p.sh. nga Holanda).
Pse nuk pranohen dhurime nga persona të gjallë
Dhurimi i lëkurës nga të gjallët nuk lejohet, sepse heqja e sipërfaqeve të mëdha do të shkaktonte plagë, dhimbje, infeksione, shenja dhe rreziqe funksionale. Lëkura e donatorëve vjen vetëm nga persona të ndjerë që kanë dhënë pëlqimin gjatë jetës.
Metodat e trajtimit të djegieve
Sipas shkallës së djegies dhe sasisë së lëkurës në dispozicion, përdoren disa teknika:
1) Lëkurë e plotë (Vollhaut)
Merret nga zona të shëndosha të pacientit (0,8–1,1 mm). Jep rezultate më të mira mjekësore dhe estetike, por mbulon vetëm sipërfaqe të vogla dhe kërkon mbyllje kirurgjikale të vendit të marrjes.
2) Lëkurë e pjesshme (Spalthaut)
Merret një shtresë e hollë (0,2–0,5 mm) që shërohet vetë dhe mund të përdoret sërish. Mund të pritet në formë rrjete (mesh graft) për të mbuluar zona shumë të mëdha, por më vonë mund të sjellë tkurrje, shenja dhe ndryshime ngjyre, transmeton 20min.ch
3) Qeliza lëkure të kultivuara (Keratinoçite)
Kur mbi 50% e trupit është djegur, merret një copëz shumë e vogël lëkure dhe qelizat shumohen në laborator. Brenda rreth tre javësh prodhohen transplantate të mëdha. Mangësi: zakonisht përmbajnë vetëm epidermisin, pa gjëndra djerse e yndyre.
4) Lëkurë e dhuruar (donatore)
Përdoret përkohësisht te të djegurit rëndë. Ajo mbron nga infeksionet, ul humbjet e lëngjeve dhe dhimbjen, por refuzohet pas 10–20 ditësh. Më pas zëvendësohet me lëkurë vetjake ose qeliza të kultivuara.
E ardhmja: lëkurë e plotë e rritur në laborator
Start-up-i zviceran Cutiss ka arritur të rrisë në laborator lëkurë me epidermis dhe dermis nga një copëz e vogël e pacientit. Teknologjia është në fazën e fundit klinike (Faza 3) dhe mund të dalë në treg brenda 3–4 viteve, duke përmirësuar ndjeshëm trajtimin e djegieve të rënda në Zvicër dhe më gjerë, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch




