Tragjedia e Crans-Montana-s e ka ndezur sërish një debat të vjetër mes prindërve: kur është momenti i duhur që adoleshentëve t’u lejohet të dalin pa shoqërimin e të rriturve? Dhe cilat kufij janë të arsyeshëm – sa i përket orarit, vendit apo rrethit shoqëror?, transmeton20min.ch. Ne pyetëm komunitetin. Në këtë artikull, lexueset dhe lexuesit tregojnë se me çfarë rregullash janë rritur vetë.
«Duhet të jem në shtëpi në orën 22:00»
Alina (13):
«Që prej këtij viti, kur mbusha 13 vjeç, më lejohet një ose dy herë në muaj të shkoj në ‘Jet’ në fshatin tonë. Atje ka gjithmonë të paktën një të rritur që na mbikëqyr. Rregulli kryesor është që të kthehem në shtëpi rreth orës dhjetë të mbrëmjes.»
«Prindërit e mi nuk e dinin për alkoolin»
Sebastian (18):
«Në moshën 13-vjeçare shkova për herë të parë në një festë në një shtëpi malore me shokë klase. Prindërit e shokut na dhanë Smirnoff dhe pije të tjera. Prindërit e mi e dinin për festën, por jo për alkoolin. Deri sa pothuajse mbusha 18 vjeç, dilja rregullisht. Në lokale askush nuk më pyeti ndonjëherë për moshën. Prindërit kishin besim se nuk do ta teproja. Tani prej tetë muajsh nuk pi më alkool, sepse nuk më tërheq më.»
«Kisha prindërit më të rreptë!»
Nicole (39):
«Me lejohej të dilja maksimalisht deri në orën 22:00, edhe kur isha 16 vjeç. Kisha prindërit më të rreptë nga të gjithë. Prandaj ndonjëherë flija te një shoqe – dhe aty qëndronim më gjatë jashtë. Por nëna e saj na merrte gjithmonë me makinë.»
«Djalit tim do t’i lejoja shumë më tepër»
Sophia (33):
«Me 14 vjeç fillova të shkoja në klube. Prindërit e mi nuk e dinin se ku isha. Meqë duhej të isha në shtëpi në mesnatë, flija te një shoqe ose shpikja ndonjë histori. Nëna ime me të drejtë nuk kishte besim, por unë gjithmonë gjeja një mënyrë. Prandaj sot djalit tim (13) do t’i lejoja më shumë. Të paktën do ta dija ku ndodhet dhe mund ta merrja natën nëse ka nevojë. Për momentin, daljet nuk e interesojnë ende.»
«Me 15 vjeç dilja rregullisht»
Tanja (41):
«Me 14 vjeç më lejuan për herë të parë të shkoja vetëm në Cyrih, në festën e KV-së, me shokë. Marrëdhënia me prindërit e mi ishte shumë e hapur dhe e bazuar në besim. Prandaj më lejuan edhe që me 15 vjeç të dilja me të dashurin tim të atëhershëm (18) dhe shoqërinë e tij. Me 15 dilja rregullisht. Edhe Street Parade e vizitoja që nga ajo moshë, zakonisht deri në orën dy të mëngjesit.»
«Nga 14 vjeç isha çdo fundjavë në klube»
Kathi (31):
«Meqë fillova shkollën dy vite më herët, isha gjithmonë më e vogël se shoqëria ime. Me 13 vjeç shkova për herë të parë në një koncert në një klub, ndërsa miqtë e mi ishin më të rritur. Pas shumë grindjesh, lotësh dhe gënjeshtrash, prindërit e mi preferuan të dinin se ku isha. Kështu, nga 14 vjeç isha pothuajse çdo fundjavë në klube. Të prisja deri në 16 nuk ishte opsion, sepse miqtë e mi atëherë do të kishin qenë tashmë 18. Në orën katër duhej të isha në shtëpi. Një ndalim total vetëm do të më përjashtonte dhe do të më detyronte të gjeja rrugë anësore.»
«Me 15 vjeç hyja në çdo klub»
Caro (32):
«Fillova të dilja me 15 vjeç. Askush nuk më kërkoi ndonjëherë letërnjoftimin dhe hyja në çdo klub. Prindërve u thosha gjithmonë se po flija te një shoqe. Ata nuk e dinin se në fakt festoja deri në orët e para të mëngjesit.»
«Sot jam e lumtur që kisha rregulla»
Dani (32):
«Në fëmijëri kisha rregulla shumë të rrepta për daljet. Nga 16 deri në 18 vjeç duhej të isha në shtëpi në orën 22:00. Sigurisht që kishte mënyra për t’i anashkaluar, si ‘po fle te një shok’. Por sot jam e lumtur që i kisha ato rregulla. Në moshë të re, njeriu nuk është gjithmonë i vetëdijshëm për rreziqe të caktuara.», transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch




