Pas një viti 2025 të karakterizuar nga rritje të vazhdueshme të kostove të jetesës, viti 2026 sjell një përzierje lajmesh për konsumatorët në Zvicër. Ndërsa disa shpenzime të përditshme do të rriten edhe më tej, ka edhe fusha ku qytetarët mund të kursejnë.
Këto kosto do të rriten
Primet e sigurimit shëndetësor
Nga fillimi i vitit 2026, primet e sigurimit shëndetësor do të rriten mesatarisht me 4,4 për qind, që përkthehet në rreth 16 franga më shumë në muaj. Rritjet më të mëdha priten në Ticino dhe Valais, ndërsa në kantonin Zug banorët do të përfitojnë nga një ulje e ndjeshme prej 14,7 për qind. Krahasuar me fillimin e vitit 2025, rritja është disi më e moderuar.
Dërgesat postare
Dërgimi i pakove me Postën Zvicerane do të kushtojë më shumë. Paketat Economy dhe dërgesat ndërkombëtare të vogla do të shtrenjtohen me 50 cent. Megjithatë, Posta ofron një stimul: kushdo që deri në shkurt 2026 frankon të paktën një pako online ose përmes aplikacionit, përfiton 5 franga kredit për shërbime të Postës.
Transporti publik dhe fluturimet
Ndërsa SBB nuk ka paralajmëruar rritje të përgjithshme të çmimeve, në transportin rajonal do të ketë shtrenjtim në disa zona. ZVV ka rritur çmimet e abonimeve mujore dhe biletave ditore; mesatarisht, biletat bëhen 2,1 për qind më të shtrenjta. Edhe fluturimet ajrore mund të kushtojnë më shumë për shkak të rritjes së kostove për linjat ajrore.
Mallrat e konsumit
Rregulloret e reja të BE-së për CO₂, që hyjnë plotësisht në fuqi në vitin 2026, mund të rrisin kostot e importeve. Po ashtu, pajisjet elektronike si smartphone dhe kompjuterë rrezikojnë të shtrenjtohen për shkak të kërkesës së lartë për komponentë nga kompanitë e inteligjencës artificiale.
Këto do të bëhen më të lira
Energjia elektrike
Një lajm i mirë për familjet: çmimet e energjisë elektrike pritet të ulen mesatarisht me rreth 4 për qind, sipas Komisionit Federal të Energjisë Elektrike. Megjithatë, përfitimi ndryshon shumë nga një rajon në tjetrin.
Vaksinimet
Nga viti 2026, vaksinat si ato kundër gripit, hepatitit B dhe HPV nuk do të duhet më të paguhen plotësisht nga xhepi deri në shterimin e franshizës. Do të paguhet vetëm bashkëpagesa, çka lehtëson ndjeshëm barrën financiare.
Kafeja
Pas rritjes së fortë të çmimeve të kakaos në vitin 2025, dashamirët e kafesë mund të marrin frymë më lirshëm. Banka Botërore parashikon rënie të çmimeve të pijeve në vitin 2026, falë kushteve të mira klimatike në rajonet prodhuese. Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa nga kjo ulje do të reflektohet realisht në çmimet për konsumatorët. Viti 2026 në Zvicër do të sjellë sfida të reja financiare, por edhe mundësi kursimi. Informimi i hershëm dhe krahasimi i ofertave mbeten çelësi për të mbajtur nën kontroll buxhetin familjar, transmeton 20min.ch, publikon helveticALforum.ch




