Mungon vetëm zyrtarizimi, por e ardhmja e Zinedine Zidane mbetet te kombëtarja e Francës. Sipas asaj që raportohet nga mediat franceze, ish-kapiteni do të marrë drejtimin e “Gjelave” pas ciklit të Didier Deschamps.
Zidane ka arritur një marrëveshje paraprake për të marrë drejtimin e kombëtares së Francës pas përfundimit të Kupës së Botës, me teknikun aktual Deschamps, i cili ka konfirmuar se turneu i këtij viti do të jetë i fundit për të në krye të “Les Bleus”.
Në këtë mënyrë, Zidane duket se është shumë pranë një hapi të ri në karrierën e tij si trajner. I njohur për sukseset e tij me Real Madrid, ku fitoi tre herë radhazi UEFA Champions League nga viti 2016 deri në 2018, Zidane nuk ka drejtuar asnjë skuadër që nga largimi nga madrilenët në vitin 2021.
Megjithëse është joshur nga klube të mëdha si Juventus, Manchester United dhe një rikthim i mundshëm te Real Madridi, ai ka refuzuar të gjitha ofertat, duke pritur një mundësi në nivel kombëtar.
Nëse marrëveshja finalizohet, Zidane do të marrë drejtimin e një prej kombëtareve më të forta në botë, me synimin për të vazhduar sukseset e Francës në arenën ndërkombëtare.
Franca tashmë ka siguruar kualifikimin në Kupën e Botës dhe do të shfrytëzojë ndeshjet e kësaj jave për përgatitje, duke u përballur në miqësore me Brazilin dhe Kolumbinë. Në fazën e grupeve të turneut, francezët do të kenë përballë Senegalin dhe Norvegjinë, ndërsa kundërshtari i tretë do të përcaktohet nga ndeshjet eliminatore, transmeton tvklan.




