Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka proceduar në Kuvendin e Kosovës amendamentet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.
Në një postim në Facebook, Osmani tha se kjo iniciativë vjen pas dështimeve të njëpasnjëshme të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit. Sipas saj, amendamentet janë hartuar më herët nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it”, shkroi Osmani.
Ajo u bëri thirrje të gjitha partive politike që të mbështesin ndryshimet kushtetuese, duke theksuar: “Tash e tutje, le të flasë populli!”
Ky hap i Presidentes Vjosa Osmani mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit, duke i dhënë qytetarëve rol të drejtpërdrejtë në këtë proces.




