POSTIMET E FUNDIT

VIZITË NË SHKOLLËN SHQIPE TË VALLËZIMIT “SHOTA” NË ZVICËR

Nga Shefqet CAKOLLI, Zvicër

Të shtunën me datë 07 mars 2026, patëm kënaqësinë të vizitonim Shkollën Shqipe të Vallëzimit “Shota” në Zvicër, e cila po i mbante provat në Wettingen. Në cilësinë e kryetarit të SH.K.A. “Dardania” në Winterthur, së bashku me dy anëtarët e kryesisë, Arbnoren dhe Festimin, morëm pjesë në provat e kësaj shkolle që zhvillohen në Wettingen, tash e sa vite.

Gjatë kësaj vizite u njohëm nga afër me rrjedhat dhe zhvillimin e ushtrimeve, nën udhëheqjen e zonjës Shkëndije Bytyqi-Bajrami, e cila me përkushtim po e drejton këtë shkollë dhe po mban gjallë traditën e valleve tona kombëtare, tash e gati 33 vite.

Emocioni ishte i veçantë për mua, pasi gjatë provave dëgjova një valle që më riktheu rreth 20 vite pas, një koreografi që i ndjeri Agron Bajrami e kishte krijuar për herë të parë tek ne në “Dardania”. Ishte një moment kujtese dhe respekti për kontributin e tij në kultivimin e folklorit tonë.

Gjatë takimit shkëmbyem edhe përvoja dhe diskutime rreth zhvillimit të aktiviteteve kulturore dhe formave të organizimit të tyre. Zonja Bytyqi-Bajrami theksoi se aktualisht ka një numër të konsiderueshëm të të interesuarve për vallëzim, kryesisht të rinj, të cilët kanë filluar të bashkohen me shkollën gjatë muajve të fundit.

Në shenjë të bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, pata sjellë edhe një mirënjohje nga SH.K.A. “Dardania”, e cila ishte ndarë me rastin e 30-vjetorit të shoqërisë sonë, para rreth më shumë se një viti. Për shkak të pamundësisë për të qenë të pranishëm atëherë, përfaqësuesit e kësaj shkolle nuk kishin arritur të jenë prezent dhe ta merrnin mirënjohjen. Kështu që, pas gati dy vitesh, patëm kënaqësinë që këtë mirënjohje t’ua dorëzojmë personalisht, fal respektit dhe bashkëpunimit që kemi patur dhe kemi tani.

Pas një kohe të gjatë pa patur mundësi në takime e vizita të ndërsjella, u ndamë me dëshirën dhe vullnetin që bashkëpunimi ynë të vazhdojë edhe më tej, në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe traditës sonë kombëtare në diasporë.

Shefqet Cakolli është president i SHKA “Dardania” në Winterthur

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB