Në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, në qytetin e Luzern u zhvilluan takime të rëndësishme ndërmjet përfaqësuesve të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore dhe përfaqësuesve të Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare. Këto takime shënuan një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rrjetëzimit të bizneseve shqiptare në diasporë.
Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore pati nderin të mirëpresë Kryetarin z. Omer Nura dhe Sekretarin e Përgjithshëm z. Xhelal Memeti, të cilët ndanë vizionin dhe strategjitë e tyre për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe fuqizimin e rolit të bizneseve shqiptare në tregjet evropiane dhe më gjerë.
Gjatë takimeve u zhvilluan diskutime të hapura dhe konstruktive, ku u trajtuan tema që lidhen me rritjen e investimeve, krijimin e urave të reja bashkëpunimi, si dhe mbështetjen reciproke mes afaristëve shqiptarë. Në këto diskutime kontribuan edhe afaristët e njohur z. Musa Berisha dhe z. Mehdi Avdijaj, të cilët ndanë përvojat dhe idetë e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve ekonomike dhe rrjetëzimin e suksesshëm të bizneseve.

Këto takime dëshmuan përkushtimin e përbashkët për të ndërtuar një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi, e cila jo vetëm që forcon lidhjet ndërmjet bizneseve shqiptare, por gjithashtu promovon vlerat, profesionalizmin dhe potencialin ekonomik të komunitetit shqiptar në Zvicër dhe në nivel global.
Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore shpreh mirënjohjen e tij të thellë për vizitën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i projekteve dhe iniciativave të përbashkëta që do të pasojnë në të ardhmen, transmeton helveticALforum.ch
Me respekt dhe mirënjohje,
Visar Robelli
Kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore




