-1 C
Zurich
Wednesday, December 31, 2025
spot_img
spot_img

Viti i Ri si një derë e hapur

Duhet ti lexosh

Nga don Anton UKA

Fundi i vitit nuk është thjesht një mbyllje kronologjike, por më tepër një hapje me besim drejt asaj që secili person shpreson për jetën e vet dhe atë të të dashurve të tij. Këtu qëndron kuptimi i festimit në natën e ndërrimit të motmoteve.

Njeriu, i ftuar ta shndërrojë jetën e tij në një festë në kuptimin e plotë të fjalës, është sinteza më e bukur e kohës, pikërisht sepse në kujtesën e tij banon e kaluara, në vëmendjen e tij e tashmja, në shpresën ose pritjen e tij e ardhmja, thoshte Shën Augustini.

Ditët që kanë kaluar bëhen gjurmë në rrugën e jetës: disa të bukura dhe të ndritshme, të tjera të pasigurta, ndonjëherë të dhimbshme. Megjithatë, duke i parë ato me sytë e besimit, zbulojmë se asnjë ditë e vetme nuk ka qenë e kotë, sepse Zoti ka ecur me ne edhe kur nuk e kemi kuptuar ose besuar në praninë e Tij. Pikërisht për këtë arsye, fundi i vitit nuk duhet të jetë vetëm një festë e jashtme e mbushur me ushqim, pije dhe dhurata, por më tepër një ushtrim shpirtëror kujtimi, falënderimi, urimi dhe besimi, sepse zemra njerëzore do të gjejë paqe jo duke kontrolluar kohën ose duke e zotëruar atë, por duke e jetuar atë dhe duke i besuar Autorit të përjetshëm të kohës.

Për disa, fundi i vitit mund të sjellë me vete barrën e problemeve, sëmundjeve, fatkeqësive, zhgënjimeve dhe dështimeve personale, familjare ose shoqërore. Por për besimtarin, është pikërisht aty, në plagët e shkaktuara nga koha, që Zoti e bën veten të pranishëm, sepse ai e di dhe beson se Zoti ecën me ne nëpër momentet e mira dhe të vështira të jetës. Besimtari e di se e ardhmja është e pasigurt, por është në duart e Zotit dhe gjithçka në duart e Tij është më e sigurt nga sa mund ta imagjinojë. Prandaj, koha që do të vijë nuk është një kërcënim që duhet duruar ose që duhet përballuar me frikë, por një ftesë për të besuar gjithmonë, për të shpresuar më shumë, për të falur pa kushte, për të dashur pa interes, sepse gjithçka që përjetohet me dashuri nuk humbet kurrë.

Perspektivat tona njerëzore mbi kohën dhe ato hyjnore të zbuluara në tekstet biblike janë shpesh të ndryshme, por thellësisht të rëndësishme. Në to, ne takohemi me veten duke numëruar ditët dhe takohemi me Zotin duke numëruar rrahjet e zemrës sonë. Në to, ne shohim të metat dhe dështimet tona, por gjithashtu shohim rreze shprese si dhurata nga Zoti të fshehura brenda zemrave tona. Në to, ne kujtojmë plagët që na mbajnë të mbyllur dhe të ndrydhur, dhe në to, ne shohim mundësitë e fshehura që Zoti na ofron si një rrugëdalje nga egoizmi dhe frika jonë. Kështu, në këto perspektiva të ndryshme dhe nganjëherë kontradiktore shpirtërore dhe psikologjike, dashuria e Zotit kryqëzohet me etjen tonë për dashuri, duke na dhënë horizonte të reja jete dhe shprese. Nga kjo përvojë shpirtërore dhe njerëzore, ne kuptojmë se çdo moment që kemi jetuar ka qenë një përkëdhelje ose një kryq, por asnjë nga ata që kanë besuar nuk ka rënë nga duart e Tij gjithmonë të hapura dhe askush nuk do të bjerë nëse ia besojmë gjithçka Atij që na jep kohën si dhuratën më të çmuar që kemi, në të cilën përmbahen të gjitha premtimet dhe mundësitë, siç na thotë tregimi që paraqes këtu:

“Një njeri e pyeti të Urtin:
— Më thuaj, o i urtë, çfarë do të sjellë Viti i Ri?
I Urti buzëqeshi lehtë dhe tha:
— Viti i Ri është si një derë. Nuk të premton as dritë, as errësirë — vetëm hapjen.
Njeriu u habit:
— Po fatin? Gëzimin? Dhimbjen?
I Urti u përgjigj:
— Fati është si era: nuk e sheh, por ndjen drejtimin që i jep velës sate. Gëzimi dhe dhimbja janë mësues; vijnë sipas rrugës që zgjedh.
Njeriu pyeti sërish:
— Atëherë, çfarë duhet të bëj në fillim të vitit?
I Urti tha:
— Mos numëro ditët — pesho veprat. Mos u frikëso nga ajo që nuk e di — frikësohu vetëm nga ajo që nuk guxon ta bësh.
Njeriu heshti për pak dhe tha:
— Pra, Viti i Ri nuk sjell asgjë vetë?
I Urti u përgjigj qetë:
— Jo. Ai vetëm të jep një fillim të ri; gjithçka tjetër e sjell ti me zgjedhjet dhe veprat e tua.”

Uroj dhe lutem që koha të jetë për të gjithë ne një “derë” që na lejon të hyjmë në mirësi, drejtësi, mirëkuptim dhe shenjtëri, dhe një “derë” që na lejon të dalim nga gjithçka që na skllavëron zemrat, mendjet dhe marrëdhëniet tona me veten, me të tjerët dhe me vetë Zotin, dhe kështu të kemi një fillim të ri.

Gëzuar dhe mbarësi në Vitin e Ri 2026!

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme