Zürich, 05 mars 2026 – Sipas raportimit të HelveticALForum.ch, Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me znj. Janneh Biteye, Konsulle e Nderit e Republikës së Gambisë në Cyrih. Takimi u mbajt në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, ku u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet përfaqësive konsullore në Zvicër. Gjatë bisedës u theksua nevoja për shkëmbim të përvojave profesionale, praktikave më të mira në shërbimet konsullore, si dhe koordinim më të ngushtë për çështje me interes të përbashkët.
Bashkëbiseduesit ndanë përvoja lidhur me sfidat dhe përgjegjësitë që mbartin misionet konsullore në raport me qytetarët dhe institucionet vendore, duke vlerësuar rolin e tyre në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve përkatëse. Takimi u zhvillua në një frymë miqësore dhe konstruktive, duke konfirmuar gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe për ndërtimin e urave të reja komunikimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Gambisë, transmeton helveticALForum.ch




