
Nga Dashnim HEBIBI
Në këtë kohë, njeriu shpesh rrethohet nga figura që duken njerëz, por nga brenda janë vetëm shtresa zbrazëtie. U ngjajnë faqeve të lakrës: sa më shumë i hap, aq më pak thelb gjen. Nuk është se fshehin fytyrën e vërtetë — ajo thjesht nuk ekziston. Janë krijesa të mësuara të përshtaten, jo të jenë.
Ka nga ata që jetojnë duke u ushqyer me hijen e të tjerëve, që ndjekin pas si shërbëtorë të interesit, duke pritur ndonjë mbetje që t’u bjerë rastësisht. Të tjerë ecin si dhelpra pas dashit në shkretëtirë, jo nga guximi apo nderi, por nga shpresa e turpshme se diçka do t’u bjerë pa e merituar. Edhe kur lodhja i përkul, edhe kur poshtërimi u prek tokën, ata nuk ndalen — sepse nuk njohin tjetër mënyrë për të ekzistuar.
Këta njerëz nuk janë të rrezikshëm për shkak të fuqisë, por për shkak të zbrazëtisë së tyre. Boshllëku gjithmonë kërkon të mbushet me jetën e tjetrit.
Prandaj kam vendosur të mos i lejoj më të ngatërrojnë heshtjen time me pranim. Do t’u tregoj rrugën dhe do t’i ndal aty ku duhet, sepse jo të gjithë janë të thirrur për shoqëri. Disa janë thjesht kalimtarë që nuk mbajnë peshë.
Unë nuk shoqërohem me ata që jetojnë me favore, sepse nuk jam lavire që pranon interesa në vend të dinjitetit. Miqësia, respekti dhe afërsia nuk blihen, nuk lëpihen dhe nuk merren duke u përkulur. Ato u përkasin vetëm atyre që dinë të qëndrojnë drejt. /
HelveticALforum.ch




