
Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ, Andermatt
Vetëm bunari është i drejtë.
Se nuk të buzëqesh rrejshëm,
nuk të premton shpëtim
dhe nuk të shet shpresë me interes.
Njerëzit flasin për njerzillak
kur kanë dritë mbi vete,
por mbyllin sytë
kur errësira bëhet reale.
Të matin nga dobia,
të peshojnë nga fitimi,
të duan vetëm,
kur nuk u kushton.
Bunari nuk të do.
Dhe pikërisht për këtë, është i drejtë.
Ai nuk të pyet pse ke rënë, nuk të thotë se e ke fajin, nuk të këshillon të bëhesh më i fortë.
Ai të pret.
I ftohtë.
I thellë.
I vërtetë.
Kur të gjithë largohen,
kur fjala “njeri” bëhet zhurmë bosh,
bunari ende mban ujë
për etjen tënde.
Njerëzit të vrasin ngadalë
me gjykime, me heshtje, me harresë.
Bunari nuk të vret,
por as nuk të mashtron.
Në errësirën e tij
nuk ka gënjeshtra.
Vetëm zëra që bien poshtë, dhe kthehen mbrapsht si jehonë e së vërtetës.
Prandaj mos kërko,
drejtësi te njerëzit.
Ata lodhen duke u shtirur.
Kërkoje te bunari.
Se ai nuk flet për njerzillak,
ai e duron atë.
Vetëm kështu …
28 Dhjetor 2025




