Nga Flamur Vezaj
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” në Boston, në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Shqiptare “Holy Trinity”, organizuan promovimin e librit “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjika përpara komunitetit shqiptar në Boston, në një atmosferë të ngrohtë dhe familjare që bashkoi besimtarë, intelektualë dhe dashamirës të historisë.
Në këtë aktivitet u prezantua ribotimi i korrigjuar i veprës, i pasuruar me të dhëna të reja historike dhe me hartografi të detajuar mbi udhëtimet misionare të Shën Palit në territoret iliro-shqiptare. Libri sjell një rishikim të thelluar të burimeve, duke synuar të saktësojë itineraret dhe datimet e predikimeve të Apostullit të Kombeve.
Për librin foli edhe peshkopi i Kishës Shqiptare “Shën Trinia”, Theofan Koja, i cili mbajti një recension vlerësues duke e cilësuar veprën si një studim të bazuar në fakte, data dhe harta konkrete që ndriçojnë më qartë udhëtimet e Shën Palit. Sipas tij, përkthimet dhe interpretimet e mëparshme nuk kishin arritur të saktësonin këto detaje, ndërsa puna kërkimore e Gjikës sjell një qartësi të re historike, veçanërisht në lidhje me vizitat në Durrës dhe në qytete të tjera ilire gjatë shekullit të parë.
Një vlerësim i veçantë për librin erdhi edhe përmes kumtesës së Sokol Paja, e cila u lexua nga gazetari Flamur Vezaj. Në këtë analizë theksohet se vepra përbën një dëshmi historike dhe biblike që vendos trojet shqiptare në hartën e studimeve ndërkombëtare, duke identifikuar ndalesat e Shën Palit në qytete si Dyrrach (Durrësi), Lissus (Lezha), Apollonia, Buthrotum (Butrinti) dhe Nikopoli i Epirit. Dy hartat e reja të udhëtimeve misionare konsiderohen një kontribut i rëndësishëm për studiuesit dhe institucionet fetare.
Vetë autori, profesor Thanas Gjika, shpjegoi se ribotimi është rezultat i një pune shumëvjeçare kërkimore dhe korrigjuese mbi botimin e parë të vitit 2022, duke theksuar se libri synon të plotësojë boshllëqet dhe pasaktësitë që kanë ekzistuar në studimet mbi udhëtimet e Shën Palit. Ai theksoi rëndësinë e analizës së burimeve të Dhjatës së Re dhe përpjekjen për të identifikuar me saktësi vendet dhe datat e vizitave të apostullit në rajon.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Kishës “Holy Trinity” dhe u moderua me profesionalizëm nga Elisabeta Gaço, ndërsa në fund të pranishmit patën mundësi të bashkëbisedojnë me autorin dhe të marrin librin të firmosur prej tij.
Ky promovim përbën një tjetër dëshmi të angazhimit të VATRA-s në Boston për të mbështetur studimet historike dhe trashëgiminë kulturore shqiptare, duke sjellë në vëmendje figura dhe tema që lidhin rrënjët shpirtërore të kombit me historinë e krishterimit në trojet shqiptare, transmeton mashqip./GD




