Nga Dashnim HEBIBI
Budapest, Nëntor 2025 – Avni Hafuzi, filantropi i njohur, njëherit Konsull Nderi i Shqipërisë që jeton dhe vepron në Hungari, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm urimi për të gjithë shqiptarët në mbarë botën, me rastin e Ditës së Madhe të Kombit, 28 Nëntorit.
“Bashkëkombas kudo që jeni, ju uroj me shpirt Ditën e Flamurit, ditën e krenarisë sonë kombëtare,” shprehet Hafuzi, duke theksuar se në këtë ditë festimi e gëzimi, zemra e tij rri e lidhur me Luginën e Preshevës – vendin që mbart historinë, identitetin dhe krenarinë e shqiptarëve të asaj treve.
“Shpirtin e kam në Luginën e Preshevës, atje ku edhe ajri kullon kuq e zi, ku edhe drita e diellit është ilire, por ku, fatkeqësisht, ende nuk po valon flamuri ynë kombëtar si duhet,” thotë ai me dhimbje e besim. “Do të vijë ajo ditë.”
Në mesazhin e tij, Avni Hafuzi thekson rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe tejkalimit të ndasive të dëmshme politike. Ai u bën thirrje shqiptarëve të jenë të bashkuar, të mbështeten te meritokracia dhe vlerat, sepse vetëm kështu ecet përpara.
“Le t’i lëmë inatet politike, të fitojnë vlerat e merita, vetëm ashtu do të ecim drejt të ardhmes dhe vetëm kështu do na e bëjë hallall gjakun shpirti i dëshmorëve, që me dekada kanë dhënë jetën për lirinë tonë.”
Avni Hafuzi rikujton se shqiptarët sot kanë arritur shumë:
• Shqipëria në NATO dhe në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian,
• Kosova drejt integrimit euroatlantik dhe anëtarësimit në NATO,
por thekson se ka ende vende që presin vëmendjen e kombit. “Mos ta harrojmë Luginën e Preshevës, atë trevë ku edhe dheu dhe guri flet shqip – e ka folur shqip që prej se ekziston toka.”
Në fund të mesazhit të tij, Hafuzi e përmbyll me një thirrje të ndjerë:
“Flamuri na bashkon. Ta duam më shumë Atdheun dhe të mos harrojmë asnjë pjesë të kombit tonë.” /HelveticALforum.ch




