Nga Dashnim HEBIBI
Sot duhet ta kuptojnë të gjithë, pa asnjë dilemë, se pa mërgatën shqiptare është e vështirë të ndërtohet zhvillim i qëndrueshëm dhe stabilitet kombëtar. Mërgata nuk është thjesht një pjesë e shoqërisë sonë, por një aset i pazëvendësueshëm i atdheut. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet shtyllë e fortë e kombit shqiptar.
Për vite me radhë, shpesh padrejtësisht, nga disa mërgata është nënvlerësuar apo edhe përgojuar. Sot realiteti flet më qartë se kurrë: pa kontributin e saj, pa këtë arterie jetike të kombit, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka stabilitet social dhe nuk ka përparim të qëndrueshëm. Ata që dikur e shihnin mërgatën vetëm si burim remitencash, sot e kuptojnë se roli i saj është shumë më i gjerë dhe shumë më i thellë.
Historikisht, mërgata shqiptare ka qenë alfa dhe omega e atdheut.
Në kohët më të vështira, kur shteti mungonte dhe shpresa zbehej, mërgata ishte zëri i shqiptarëve në botë, ishte mbështetja financiare e familjeve, ishte organizimi politik dhe humanitar për çështjen kombëtare. Pa mërgatën, historia jonë do të ishte shumë më e varfër dhe shumë më e dhimbshme. Mërgata shqiptare e ka dëshmuar veten para shtetit shqiptar dhe para shtetit të Kosovës. Ajo kontribuoi në lirinë e Kosovës, në rindërtimin pas luftës, në mbajtjen gjallë të ekonomisë dhe në afirmimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Investimet, remitencat, dijet profesionale dhe përvoja që mërgata sjell me vete janë pasuri kombëtare që nuk mund të zëvendësohen.
Edhe sot, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, po shihet qartë se mërgata shqiptare vazhdon të ketë rol vendimtar. Vota e diasporës sipas të gjitha gjasave ka qenë përcaktuese dhe në shumicë ka shprehur mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti. Ky orientim politik i mërgatës i shumicës është një mesazh i fuqishëm se ajo është e vetëdijshme, e përgjegjshme dhe e interesuar për drejtimin që merr shteti i Kosovës. Mërgata voton për ndryshim, për drejtësi dhe për institucione të forta, duke dëshmuar se edhe pse larg fizikisht, ajo është thellësisht e lidhur me fatin politik dhe shoqëror të atdheut.
Si mërgata shqiptare, nuk ka askund. Ajo është shembull i lidhjes së palëkundur me atdheun, i sakrificës dhe i solidaritetit. Edhe pse jeton dhe punon larg, mërgata nuk e ka harruar kurrë gjuhën, kulturën dhe rrënjët e saj, duke i ruajtur dhe përcjellë ato brez pas brezi.
Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë ta nderojmë dhe ta respektojmë më shumë mërgatën. Jo vetëm me fjalë, por me politika konkrete, me përfshirje institucionale dhe me trajtim dinjitoz. Mërgata nuk është mysafire në atdheun e vet – ajo është pjesë e pandashme e tij dhe partner strategjik në ndërtimin e së ardhmes kombëtare.
Pas asaj që po shohim me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, tashmë po vërehet se disa kanë filluar t’i ndryshojnë fjalët dhe qëndrimet. Disa që deri dje flisnin me siguri e arrogancë, sot po përpiqen të riformulojnë deklaratat e tyre, duke u përshtatur me realitetin e ri politik.
Mbajeni veten, rrini ashtu si keni qenë. Ndryshimi i fjalëve nuk e ndryshon të vërtetën. Mund të duket keq, por nuk është as çudi. Historia jonë politike na ka mësuar se kur vullneti i qytetarëve flet qartë, disa zgjedhin heshtjen, ndërsa disa të tjerë zgjedhin të kthejnë fjalën.
Megjithatë, realiteti është i pamohueshëm: vota ka folur dhe mesazhi është i qartë.
Edhe këto zgjedhje, mbi të gjitha, treguan qytetërimin shembullor të qytetarëve të Kosovës. Ju lumtë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Urime Kosovë! Tani, më shumë se kurrë, duhet të kontribuojmë edhe më fort për mërgatën. / HelveticALforum.ch




