Prishtinë – Agjutanti i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneral Major Stephen E. Osborn, ka uruar Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në letrën e tij, Gjeneral Osborn shprehet:
“Në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, ju shpreh urimet e mia më të sinqerta juve dhe popullit të Kosovës. Kjo ditë qëndron si një dëshmi e qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe progresit të rëndësishëm të kombit tuaj. Me krenari të madhe festojmë partneritetin tonë të fortë dhe në thellim.”
Ai ka vlerësuar arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në modernizimin e saj si një forcë mbrojtëse territoriale profesionale dhe shumëetnike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjenerali Osborn gjithashtu ka riafirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për Kosovën:
“Forcimi i vazhdueshëm i ndërveprimit me Shtetet e Bashkuara, i theksuar nga progresi juaj i konsiderueshëm përgjatë planit dhjetëvjeçar të tranzitit, krijon një të ardhme të begatë për Kosovën dhe Evropën Juglindore. Me këtë rast të veçantë, dua të riafirmoj mbështetjen tonë të palëkundur për rritjen dhe suksesin e vazhdueshëm të Kosovës. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”
Ky urim vjen në një moment kur Forca e Sigurisë së Kosovës po konsolidon kapacitetet e saj dhe po forcon bashkëpunimin ndërkombëtar, duke theksuar partneritetin e fortë mes Kosovës dhe SHBA-së, transmeton rtk.




