2.5 C
Zurich
Wednesday, December 3, 2025
spot_img
spot_img

Universiteti i Prishtinës zgjedh Prof. Rifat Latifin në krye të Qendrës për Kërkime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike

Duhet ti lexosh

Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Prof. Rifat Latifi është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës. Ai është gjithashtu themelues dhe president emeritus i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe ideator i QKSTK-së.

Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës në UP do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara. Qendra pritet të angazhojë profesionistë mjekësorë dhe inxhinierë nga vendi dhe bota, me qëllim ofrimin e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimin e programeve të avancuara të trajnimit.

Objektivat kryesorë të QKSTK-së përfshijnë krijimin e programeve gjithëpërfshirëse, përmirësimin e aftësive kërkimore dhe integrimin e teknologjive të avancuara. Qendra do të shërbejë gjithashtu si platformë edhe për publikimet e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe do të zhvillojë bashkëpunime me universitete e institucione ndërkombëtare.

Përfshirja e laboratorëve të simulimit, programeve të telemjekësisë dhe përgjithësisht një qasjeje multidisiplinare ndaj trajtimit të traumës dhe urgjencës, do të jetë thelbësore në punën e QKSTK-së. Në këtë kuadër, QKSTK-ja do të prodhojë edhe literaturë shkencore dhe do të mbështesë diplomacinë mjekësore dhe shëndetin global.

Drejtori i sapozgjedhur i Qendrës, prof. Latifi, theksoi se ajo do të jetë një institucion kryesor për arsimim, kërkim dhe avancim teknologjik në fushën e kirurgjisë, duke përfshirë mjekësinë kirurgjikale, traumën dhe urgjencën.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, shprehu kënaqësinë e tij për emërimin e prof. Rifat Latifit në funksionin e drejtorit të QKSTK-së në UP.

Prof. Hajrullahu theksoi se QKSTK-ja, si qendra e parë e këtij lloji në rajonin e Ballkanit, do të ofrojë mundësi të reja për studentët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimin e teknologjive moderne për të avancuar standardet e kujdesit shëndetësor në Kosovë e përtej.

Rektori shfaqi bindjen se nën udhëheqjen e prof. Rifat Latifit, QKSTK-ja do të kontribuojë për zhvillimin e mjekësisë kirurgjikale dhe do të inkurajojë kërkimin shkencor dhe inovacionin për të përballuar sfidat e ardhshme në fushën e shëndetësisë. Profesori Hajrullahu gjithashtu bëri thirrje për mbështetje nga institucionet e ndryshme për të realizuar qëllimet ambicioze të kësaj qendre, duke e vendosur Kosovën si lider në arsimin dhe shëndetin kirurgjik. „Qendra jonë do të jetë një platformë për edukim, hulumtim dhe zhvillim profesional, për të krijuar një të ardhme më të mirë për profesionistët e kujdesit shëndetësor në Kosovë”, tha rektori Harullahu.

Në përfundim, prof. Latifi shprehu bindjen se QKSTK-ja është një nga iniciativat më ambicioze në fushën e shëndetësisë dhe edukimit kirurgjik në Kosovë, prandaj i duhet mbështetje serioze nga shteti i Kosovës për të realizuar potencialin e saj në vend e në tërë rajonin.

Në shtator të vitit 2025, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës nënshkruan memorandum mirëkuptimi me të cilin parashihet në detaje se si do të funksionojë Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës. Marrë nga Universiteti i Prishtinës. /GD

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme