Përfaqësues të menaxhmentit të lartë dhe dekanët e Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), të udhëhequr nga Rektori, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, morën pjesë në debatin publik të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, lidhur me propozim-ndryshimet në legjislacionin për arsimin e lartë.
Debati u mbajt në ambientet e Universiteti i Tetovës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të arsimit të lartë nga e gjithë vendi, të cilët diskutuan mbi sfidat aktuale dhe nevojën për avancimin e kornizës ligjore në funksion të rritjes së cilësisë dhe konkurrueshmërisë së universiteteve.
Gjatë këtij takimi, UEJL prezantoi propozimet e veta për plotësim-ndryshimin e Propozim-Ligjit për Arsimin e Lartë dhe të Propozim-Ligjit për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, të cilat paraprakisht janë shqyrtuar dhe miratuar në organet përkatëse të Universitetit. Propozimet u prezantuan nga Prorektori për planifikim, hulumtim dhe ndërmarrësi, Prof. Dr. Veland Ramadani, i cili theksoi rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit vendor me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, ai nënvizoi se përmirësimi i vazhdueshëm i kornizës ligjore është thelbësor për garantimin e autonomisë universitare, forcimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e hulumtimit shkencor dhe inovacionit.
Pjesëmarrja aktive e UEJL-së në këtë debat publik dëshmon përkushtimin e institucionit për të kontribuar në proceset reformuese në arsimin e lartë në vend, duke ofruar ekspertizën akademike dhe përvojën institucionale në funksion të ndërtimit të një sistemi arsimor më efikas, më transparent dhe të orientuar drejt standardeve evropiane, transmeton UEJL, përcjell helveticALforum.ch




