Instituti për Shkencë dhe Arte ka nisur një hulumtim gjithëpërfshirës që synon të analizojë punësueshmërinë dhe zhvillimin profesional të të diplomuarve (alumni) të Universitetit “Haxhi Zeka”. Ky studim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt kuptimit më të thellë të realitetit me të cilin përballen të diplomuarit pas përfundimit të studimeve universitare.
Qëllimi kryesor i hulumtimit është të vlerësojë gjendjen aktuale të punësimit të alumni-ve, si dhe nivelin e përputhjes ndërmjet njohurive dhe kompetencave të fituara gjatë studimeve dhe kërkesave reale të tregut të punës. Përmes të dhënave të mbledhura, synohet identifikimi i sfidave kryesore, mundësive ekzistuese dhe nevojave për përmirësim në programet akademike dhe mekanizmat e mbështetjes për zhvillimin e karrierës profesionale.
Në këtë kuadër, ftohen të gjithë të diplomuarit e Universitetit “Haxhi Zeka” që të japin kontributin e tyre duke marrë pjesë në hulumtim përmes plotësimit të pyetësorit në linkun e bashkëngjitur. Përvoja dhe perspektiva e secilit alumn janë thelbësore për ndërtimin e një pasqyre reale dhe të besueshme mbi rrugëtimin profesional pas studimeve.
Pjesëmarrja në këtë hulumtim nuk është vetëm një akt bashkëpunimi, por një kontribut i drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe shërbimeve akademike për brezat e ardhshëm të studentëve. Zëri i alumni-ve ka peshë dhe ndikim real në formësimin e politikave akademike dhe zhvillimin institucional.
Ky hulumtim dëshmon se bashkëpunimi ndërmjet institucionit dhe të diplomuarve është çelësi për një arsim më cilësor, më të përshtatur me tregun e punës dhe më të orientuar drejt së ardhmes profesionale të studentëve, njofton UHZ, transmeton helveticALforum.ch




