Universiteti “Haxhi Zeka” ka organizuar ceremoninë e hapjes së Universitetit të Tretë Dimëror Ndërkombëtar, UNIWIN 2026, duke mirëpritur rreth 70 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe gjashtë profesorë nga Turqia, Polonia, Finlanda, Hungaria dhe Bullgaria, përveç profesorëve nga Universiteti “Haxhi Zeka”.
Studentët pjesëmarrës kanë mundësinë të zgjedhin një nga gjashtë kurset akademike, të ligjëruara nga profesorët e Universitetit “Haxhi Zeka” dhe profesorë ndërkombëtarë, të cilat përfshijnë temat:
- Eco-Digital Futures: Green Tech, Smart Tourism & Sustainable Investment
- Sustainable and Innovative Tourism, Hospitality and Culinary Services
- Tourism Economy
- Design Thinking for tourism innovations
- Neurofeedback EEG in Tourism & Wellness experiences
- Circular economy for sustainable tourism: Policies and development practices
Në ceremoninë e hapjes, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. dr Armand Krasniqi, uroi studentët dhe profesorët pjesëmarrës, duke theksuar rëndësinë e këtij universiteti dimëror për zhvillimin e dijes, inovacionit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë zhvillimit të UNIWIN 2026 janë paraparë edhe vizita studimore dhe aktivitete shoqërore për pjesëmarrësit, me qëllim të njohjes dhe promovimit të potencialeve turistike, kulturore dhe natyrore të Komunës së Pejës, si dhe forcimit të imazhit të saj si një destinacion atraktiv për studentë dhe vizitorë ndërkombëtarë. Po ashtu, programi do të përfshijë ligjërata nga mysafirë folës vendorë dhe ndërkombëtarë.
Universiteti “Haxhi Zeka” dëshmon edhe një herë përkushtimin e tij për krijimin e një mjedisi ndërkombëtar të të mësuarit, duke u pozicionuar si një qendër e dijes, inovacionit dhe rrjetëzimit me universitete evropiane dhe ndërkombëtare.
UNIWIN 2026: Dije, Inovacion dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin “Haxhi Zeka”, transmeton UHZ, përcjell helveticALforum.ch




