Thellimi i vizionit për ndërtimin e heliksit të trefishtë dhe funksionalizimin e Qendrës Universitare për Inovacion dhe Ndërmarrësi – UNI NOVA
Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë (UHZ), në partneritet me FERD – Forumin Ekonomik Rajonal të Dukagjinit, i mbështetur edhe nga projekti SHER, është në fazën përfundimtare të përgatitjes së Konferencës së Tretë Shkencore dhe Profesionale, e cila pritet të mbahet në fillim të muajit dhjetor 2025. Kjo konferencë vjen si vazhdimësi e një cikli profesional të iniciuar nga UHZ dhe FERD, i cili synon të ndërtojë një kulturë të re bashkëpunimi midis akademisë, sektorit privat dhe institucioneve shtetërore, duke avancuar kështu konceptin modern të heliksit të trefishtë (Triple Helix) si model funksional për zhvillim rajonal, inovacion dhe transformim socio-ekonomik.
Për edicionin e tretë, fokusi strategjik i konferencës do t’i kushtohet rolit, detyrave dhe përgjegjësive që pritet t’i mbajnë institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale, me theks te ministritë, agjencitë zhvillimore dhe komunat e rajonit të Dukagjinit, në procesin e ndërtimit, përkrahjes dhe funksionalizimit të Qendrës Universitare për Inovacion dhe Ndërmarrësi – UNI NOVA, e cila tashmë është themeluar nga UHZ si një entitet i veçantë juridik dhe ekonomik, i dedikuar për start-up-et, inkubatorët e biznesit, transferin e njohurive, teknologjisë dhe spin-off ndëruniversitare.
Në konferencë pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, drejtues të odave ekonomike, ekspertë të teknologjisë dhe inovacionit, profesorë universitarë, liderë të sektorit privat, si dhe pjesëmarrës nga ekosistemi i sipërmarrjes dhe inovacionit. Folësit e ftuar do të pasurojnë debatin me ekspertizën e tyre teknike dhe praktike, duke ofruar rekomandime realiste dhe modele të aplikueshme për funksionimin e qëndrueshëm të UNI NOVA-s si një qendër moderne e orientuar drejt:
- startup-eve dhe sipërmarrësisë akademike,
- inkubimit dhe akselerimit të bizneseve,
- transferimit të teknologjisë dhe dijes,
- pjesëmarrjes në projekte ndërkombëtare dhe fonde konkurruese,
- ndërlidhjes me industrinë dhe politikat zhvillimore lokale e qendrore.
UHZ dhe UNI NOVA mbeten fuqimisht të përkushtuara që të orientohen drejt filozofisë së universitetit sipërmarrës, model i cili nuk kufizohet vetëm me prodhimin e diplomave, por krijon vlera të reja zhvillimore për tregun e punës, ekonominë rajonale, sektorin e biznesit dhe komunitetin. Kjo ambicie mbështetet në parimin se një universitet modern, i shekullit XXI, duhet të jetë prodhues i ideve, zgjidhjeve, inovacionit dhe ndërmarrjeve të reja, duke u shndërruar nga një institucion tradicional mësimor në një aktor ekonomik, social, teknologjik dhe strategjik.
Përmes kësaj konference, UHZ, FERD dhe UNI NOVA synojnë të nisin një platformë të përhershme komunikimi dhe planifikimi ndër-institucional, për të krijuar një ekosistem të zhvillimit të inovacionit, i cili do ta pozicionojë Dukagjinin si një qendër të re të zhvillimit ekonomik, akademik dhe teknologjik në Kosovë.
“Heliksi i trefishtë nuk është vetëm koncept – është filozofi zhvillimi, është mënyrë e re e të menduarit dhe të vepruarit. Dhe Peja, përmes UHZ dhe partnerëve të saj, po e ndërton këtë model me hapa të matur, por të sigurt.” /UHZ
