Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, duke iniciuar një bashkëpunim akademik me Liberty University nga Virginia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky zhvillim shënon një moment të rëndësishëm për avancimin e cilësisë në arsim dhe shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare., transmeton helveticALForum.ch. Gjatë një takimi zyrtar, rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, së bashku me menaxhmentin universitar dhe dekanin e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, pritën një ekip koordinues për të diskutuar hapat konkretë të këtij bashkëpunimi. Palët u dakorduan që në muajin qershor të realizohet një vizitë zyrtare, me qëllim finalizimin e marrëveshjes ndërinstitucionale.
Ky partneritet pritet të sjellë përfitime të shumta për studentët dhe stafin akademik, përfshirë shkëmbime studentore, projekte të përbashkëta kërkimore, trajnime profesionale dhe zhvillim të programeve të reja studimore. Veçanërisht, Fakulteti Juridik do të ketë mundësi të përfitojë nga përvojat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.
Bashkëpunimi me një universitet prestigjioz amerikan konsiderohet si një hap strategjik drejt rritjes së cilësisë akademike dhe forcimit të pozitës së Universitetit “Haxhi Zeka” në arenën ndërkombëtare. Ky partneritet gjithashtu reflekton përkushtimin e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë për të ndërtuar ura bashkëpunimi me universitete të njohura botërore.
Në një kohë kur arsimi i lartë po përballet me sfida globale, iniciativa të tilla dëshmojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim të qëndrueshëm akademik dhe profesional, transmeton UHZ, përcjell helveticALForum.ch.




