Përgatiti Dashnim HEBIBI
Zagreb, 22 dhjetor 2025 – Unioni i Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë njofton se sot kryetari i Unionit, z. Çollaku, së bashku me z. Tom Kaçinari, zhvilluan një takim të rëndësishëm me përfaqësues të familjarëve të personave të zhdukur nga Kosova. Në takim morën pjesë z. Haki Kosumi, znj. Kumrie Karaqiça dhe znj. Gjemile Morina.
Takimi u organizua në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe kishte për qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave, si dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkërendimit të vazhdueshëm ndërmjet familjarëve, organizatave përfaqësuese dhe institucioneve relevante në nivel rajonal.
Gjatë diskutimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua rolit dhe angazhimit të Këshillit Rajonal të Familjeve të të Zhdukurve për Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. U theksua nevoja për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet familjarëve dhe institucioneve përgjegjëse, si dhe për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar drejtësi dhe të vërtetën për familjet që prej vitesh presin përgjigje.
Unioni i Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë rithekson përkushtimin e tij për të mbështetur iniciativat humanitare dhe për të kontribuar në proceset që synojnë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke e konsideruar këtë çështje si një obligim moral dhe shoqëror ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. /HelveticALforum.ch




