-0.3 C
Zurich
Thursday, January 8, 2026
spot_img
spot_img

Udhëtimi i fundit…

Duhet ti lexosh

Nga Luan Rama

(Nga takimi në Konispol me një grua që më tregoi historinë e nënës së saj, e cila fëmijë kishte mundur të kapërcente përtej kufirit grek pas masakrës së madhe në Çamëri)

Ishte fund vjeshte dhe nënë Haso, 85 vjeçare, kishte kohë që kërkonte të shkonte në Filat të Çamërisë. Ndjente vdekjen ti afrohej dhe ngatërronte ditët, muajt, kohët. Çdo natë tashmë i shfaqej Çamëria e dikurshme, Filati që kishte jetuar dhe fytyrat e atyre që s’do ti shihte më pas atij udhëtimi dhe eksodi drejt Qafë Botës. E thërriste pragu, shtëpia, porta e gurtë dhe bajamja në oborr, furra ku nëna piqte bukën, dritaret, mullagat e kuqe dhe manxurana. I shfaqej shoqja e saj greke, Krisulla, kur flokët e saj ngjyrë gruri ia bënte gërsheta dhe këndonin një këngë « çamiko ». Larg Filatit, shumë gjëra i kishte harruar nga jeta përtej por një gjë nuk i shuhej: dëshira për tu kthyer në shtëpi. Sa më shumë koha kalonte aq më e fortë bëhej kjo dëshirë. E shikonte veten në ëndërr tek kthehej, sikur një erë e merrte dhe e kalonte sipër telave me gjemba të kufirit, si një shpend të çuditshëm që kapërcente kodrinat dhe e çonte në oborrin e shtëpisë. Por kur zgjohej, një shije e hidhur i mbetej në buzë, në shpirt, një shije plumbi e gjaku. Dhe pyeste veten : ç’bëj unë këtu ? Kur do të kthehem ? Kishte kaluar të tetëdhjetat dhe përsëri kërkonte. Por vajza dhe nipërit gjithnjë i thonin:

– Ja nane, të vij pranvera dhe do të të çojmë.

Kalonte dimri, shkrihej dëbora dhe vinte pranvera por nënë Haso nuk harronte t’u kërkonte përsëri ta çonin në shtëpinë e saj në Filat. Por nipi e vajza gjithnjë do ti nxirrnin diçka tjetër:

– Ja, sa të bëhet martesa e vajzës së Naxhos… Sa të freskohet koha nga vapa e beharit.

Një tjetër ditë shtonin:

– Do shkojmë sa të rregullohet makina e Bedos.

– Po ja ku është Qafa e Botës, – u thoshte nënë Haso.

– Edhe pak nënë, do të shkojmë se tani është kohë e keqe dhe fryn erë e madhe, – dhe ata e shikonin me sy të trishtë. Vajza kthente kokën pas që ajo mos ti shihte sytë e saj të përlotur. U vinte keq, nuk donin ta hidhëronin në ditët e saj të fundit, ashtu, me sklerozën në sy. E çfarë ti thonin? Se Greqia nuk i lë çamët të kthehen në shtëpitë e tyre? Se në Qafë Botë, sa të të shihnin pasaportën se kishe lindur në Çamëri të kthenin mbrapsh? Në Greqi nuk shkelin më çamët! – thonin policët e Greqisë në kufi.

Nënë Haso kishte qenë fëmijë kur kishte lënë shtëpinë, Filatin, mes krismave të armëve dhe zjarrit, mes gjakut që rridhte në rrugë dhe një tmerri të paparë. Në sy e kishte ende vrasjen e gjyshit të saj. Në sy e kishte dhe nënën që e rrëmbyen ushtarët e Zervës dhe nuk e kthyen më. Ngjizur e kish në retinën e syve udhën e eksodit të madh kur çamët e përndjekur morën rrugët e shumë prej tyre vdiqën sa të arrinin në Qafë Botë. Të gjitha i kishte në sy nënë Haso, dhe fytyrën e xhindosur të kolonel Samarës, por kaq vite shkuar malli e kishte pushtuar akoma më shumë dhe përherë e më shumë kërkonte: “Mos më lini të vdes pa e parë shtëpinë, Çamërinë.”

Shumë gjëra që kishte jetuar në Konispol i kishte harruar tani. Aty ishte rritur. Aty dhe ishte martuar, kishte lindur fëmijët. Jeta ishte e vështirë dhe plagët dalëngadalë i ishin mbyllur. Por Çamëria i mbeti kështu veç në ëndërr se Greqia kishte ngritur një mur të lartë në kufirin shqiptar; se Greqia i kishte mbyllur të gjitha portat për tu kthyer. Megjithatë, kjo nënë e kishte gëzuar jetën e ja tani ishte koha të shkonte por plaga e vjetër nuk e linte, pulsonte gjithnjë dhe i kujtonte detyrën e shenjtë, fjalët e atit për kthimin në shtëpi. Nënë Haso kish dëgjuar se muri ishte shembur tashmë pas 50 vjetësh, se shqiptarët po shkonin me mijra. Por si të shkonte? Dhe gjithnjë e më shumë, natën, midis ëndrrës shikonte veten që udhëtonte e lumtur për në qytetin e lindjes në një gjelbërim të pafund që shndriste si në një përrallë. Kishte mall të shihte odanë ku rrinin prindërit, të shikonte avllinë, ullishtat përtej rrugës, borzilokun që e ëma mbante gjithnjë ndër duar. Por nipërit asnjëherë nuk i thanë se çamërit i kthenin dhe nuk i lejonin të shkonin në shtëpitë e tyre, të shkonin në Paramithi, në Grikohor, në Pargë, të shkonin në Lopës, në Varfanj, nuk i thanë se çamët ishin të dënuar të përjetshëm. Si mund ta helmonin një zemër nëne? Si?…

Ditët kalonin, nëna u sëmur dhe në shtrat gjithnjë rënkonte për Filatin. Një natë thanë se vdiq, por jo. Shpirti nuk i dilte e mbante ende gjallë. Sapo e mori veten, nipi dhe vajza i erdhën pranë dhe më së fundi i thanë:

– Koha është e mirë nane dhe nesër mund të nisemi për në Filat.

– Oh, ç’më gëzuat. Ju paça uratën! – u tha e lumtur nënë Haso dhe i puthi me dashuri.

Atë natë nuk fjeti. E si të flinte nënë Haso?! Në përgjumjen e saj i shfaqeshin fytyrat e prindërve të vrarë, shtëpia dhe muret me gëlqeren e bardhë, bajamja e lulëzuar. E kështu me sytë nga dritarja ndiqte yllin e mëngjesit, gjersa agoi.

Në mëngjes nisi të mbledhë disa plaçka dhe hodhi mandilen e bardhë në kokë.

– Po ç’i ke këto plaçka që ke mbledhur nane? – i tha e bija.

– Po duhen për rrugës moj bilë!

Gëzohej nëna dhe sëbashku dolën në oborr. Mushka e gjitonit e priste. E hipën nënë Hason mbi të dhe u nisën. Dhe nënës i qeshte fytyra dhe ndjente zemrën ti rrihte fort tek shihte tej rrugën që shkonte drejt kufirit. Shkonin drejt Vërvës, fshatit nga ku kapërcehej kufiri dhe mund të shihte Koskën dhe tutje Sajadhën, Igumenica, Vola…

Pasi ecën kështu nja dy kilometra nipi ndaloi mushkën në një shesh të vogël. Tutje dukej një kodrinë dhe akoma më tutje dukeshin një grup shtëpish.

– Erdhëm ? – pyeti nënë Haso.

– Po nane, ardhëm më së fundi. Ja tek duket Filati.

Nipi i tha me dhimbje këto fjalë se ai fshat nuk ishte Filati, se ishte thjesht një fshat pa vajtur ende tek kufiri me Greqinë.

Nënë Hason e zbritën nga mushka dhe nisi të shikonte gjithë habi e hare përtej, në shtëpitë e bardha tek dukeshin përpara. Dhe për çudi, pasi vështroi një copë herë, ajo nisi të thoshte:

– Ja shtëpia e Dematëve… ja dhe ajo e Sejkatëve me mure të lartë… Ua, jo më tutje është shtëpia e doktorit !… Ja dhe rrapi i madh në mes të sheshit!

Nëna shikonte dhe buzët i dridheshin, shpirti i drithëronte dhe sytë i shkëlqenin nga ai gëzim që po e pushtonte pas kaq vitesh. Ishte mall, ngazëllim, pikëtakim me vendlindjen.

– Po ju ç’më rrini kështu ? Nuk gëzoni që po shoh Çamërinë?! – iu kthye ajo papritur.

– Po moj nënë, po. Dhe ne gëzojmë! – i thanë ata. – Tani shlodhu se kemi bërë gjithë këtë rrugë.

Dhe ata e ulën mbi një gur nënë Hason e ajo rrëshqiste dorën mbi gur. E ledhatonte… U harrua në atë kohë, në atë jetë që ishte prerë me thikë dhe krisma. Mos vallë kujtonte se kështu përkedhelte varret e njerëzve të saj që nuk i pa më kurrë?

– Paç uratën time moj bilë! Dhe ti o djalë, eja të të puth. Ju jeni djeltë e Çamërisë! – tha ajo dhe papritur pikasi të bijën që lotonte.

– Po ti pse qan?

– Nga gëzimi moj nënë, nga gëzimi!

– Tani që erdha të shoh shtëpinë, tani le të vdes. Mjaft rrojta! Kaq desha, të shihja Çamërinë. Dhe plaga ime e fundit u mbyll tani.

Dhe kështu nënë Haso nisi të mërmërisë disa fjalë. Ishin fjalë të një kënge të fëmijërisë. Haso këndonte nën zë: “Bilëzë moj bilëzë, bukuria ti…”

Shikonte përreth dhe nuk ngopej me aromën e tokës, të manxuranës, me qiellin e pastër që tutje puthte detin dhe shkëlqenin bashkë nën diell.

Më në fund nipi i tha:

– Eja nane tani, erdhi ora të kthehemi, kemi rrugë për të bërë deri tek ne.

Dhe ata e hipën nënën mbi mushkë dhe morrën udhën e kthimit drejt Konispolit. Ishte vjeshtë dhe gjethet e verdha të pemëve i jepnin hijeshi gjithë kodrinës së lartë të Konispolit dhe fushës tej ku dukej gjiri i Sarandës.

Nëna vazhdonte të këndonte këngën e saj të fëmijërisë ndërsa nipi me vajzën e saj i kishin sytë e përlotur. U vinte keq që e kishin gënjyer, por ç’të bënin, donin ta gëzonin.

Kur erdhi në shtëpi, të nesërmen, nënë Haso zuri krevatin dhe nuk u ngrit më. Herë pas here fliste si në zgjëndër dhe kujtonte pusin e Filatit, Manastirion, dyqanin e bakallit, gjimnazin dhe fushën e sportit… Krisullën e vogël nuk e harronte. Ishin rritur bashkë. Ah kjo botë e mbrapshtë që na ndau… Tani nuk jetonte më me të tashmen. Ishte e lumtur. Nënë Haso po vazhdonte jetën e saj në Çamëri, aty ku e kish lënë. Shpirti i saj s’kish të sosur me kujtimet, imazhet, fytyrat e të dashurve dhe atë udhëtim të eksodit nëpër natë kur çamët shkonin të lemerisur drejt veriut, drejt Nënëmadhes Shqipëri. Herë-herë lotët e mbulonin dhe fryma i dilte nga krahërori dhe shkonte tutje, kapërcente kodrinën dhe vazhdonte tej. Fryma kërkonte pragjet.

Dy javë më vonë ditën e fundit kërkoi mandilen e nënës së saj, të vetmen që kish mundur të merrte para se të niste eksodi i madh. E vetmja gjë e shenjtë që kishte mbajtur në synduk si sytë e ballit. – Nixrrma mandilen, se dua ta kem këtu në shtrat, – kishte thënë. Dhe vajza ia nxorri. E futi në gji dhe priste orën, por sytë e saj ishin të lumtur. Herë-herë e nxirrte mandilen dhe i merrte erë. Ndjente aromën e trupit të nënës së saj. “Nane moj nane” thoshte nën zë! Dhe ashtu e shtrirë ndjente se bota po i shuhej ngadalë dhe ajo nisi të endej në një botë tjetër, borziloku e manxurane. Atje, në botën e etërve!

Më së fundi një mëngjes nënë Haso shkoi. “Të më varrosni në Filat” e kishte porositur të bijën. “Po moj nane” – i ishte përgjigjur ajo duke menduar se policët e Greqisë do ta kthenin mbrapsht arkivolin e saj se do duhej vizë dhe viza nuk vinte kurrë për të shkuar në Çamëri.

Atë çast të fundit, një zjarr i madh e pushtoi thellë krahërorit nënën Hason. Një zjarr i habitshëm që nuk e kishte ndjerë ndonjëherë. Një zjarr që e mbushte, e dehte, me përrenj gjaku që nxitonin në dejet e saj, thua se një hyjni donte ta gëzonte për herë të fundit dhe ta çonte në një lloj parajse, në një atdhe me fytyrën e Filatit të saj, me atë shesh ku shihte burrat, baballarët, pleqtë e vjetër, vetë historinë e vendit të saj.

Kështu shkoi kjo nënë bashkë me kujtimet e saj të Filatit. Të paktën shkoi e gëzuar se e pa vendlindjen e ndaluar, tokën e premtuar, atë që kishte kërkuar një jetë të tërë, tokën që më së fundi e gjeti… në ëndërr! /GD/camiko.al

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme