Nga Prof.Dr.Xhavit LIPAJ, Prishtinë
Ai ecën si një hije që ka harruar trupin,
i rrethuar nga 48 kukulla që nuk shohin,
nuk mendojnë, nuk pyesin,
veç tundin kokat në ritmin e frikës,
si një kor i vdekur që luan gjallërinë.
Këto nuk janë njerëz, janë gojë pa mendje,
duar pa moral, karrige me këmbë të drunjta
që i binden urdhrit të erës
dhe jo zërit të ndërgjegjes.
Njëra thotë:
“Na udhëheq, o mashtrimtar i madh!”
tjetra iu lutet hijes:
“Vetëm mos më hiq nga ekzistenca ime boshe…”
dhe të tjerat mërmërisin të njëjtën këngë, të njëjtin psalm nënshtrimi,
deri sa servilizmi bëhet liturgji
dhe frika, fe shtetërore.
Ai nuk dëgjon asgjë,
se për të dëgjuar duhet të kesh brenda vete
diçka më shumë se ambicie:
duhet shpirt.
E në kafkën e tij teatri i mendimit
luhet me perde të mbyllura,
me një skenar të vetëm:
“Unë jam i pagabueshëm.”
Kështu lind tirania moderne:
jo me tanke, por me kukulla;
jo me dhunë, por me duartrokitje;
jo me diktatorë, por me ego
që ushqehet me verbërinë e 48 të tjerëve.
Ai s’ka kabinet, ka varg të skllavëruar.
S’ka vizion, ka pasqyrë
ku sheh vetëm veten
dhe e quan “komb”,
sepse çdo tiran fillon
kur një njeri e ngatërron hijen e tij
me formën e shtetit.
48 kukulla rreshtohen si një ushtri injorante,
duartrokasin dështimin,
adhurojnë gabimin,
kurorëzojnë rrëzimin.
Dhe kështu absurdi bëhet politikë,
dështimi bëhet strategji,
marrëzia bëhet program qeverisës.
Populli sheh.
Shikon, por hesht.
Jo nga frika e vdekjes,
por nga frika se s’ka kujt t’i flasë
kur 48 mendje të fikura
i fryjnë të njëjtës gënjeshtër.
Dhe fatkeqësia më e madhe
s’është ai,
por heshtja kolektive
që e ushqen.
Se sa herë ai hap gojën,
flet zëri i 48 mediokrëve;
sa herë ai gabon,
48 duar certifikojnë fajin si fitore;
sa herë ai bie,
48 gojë shpallin triumfin
e humbjes.
Kështu shteti kthehet në absurditet,
në një teatër pa publik,
pa kritikë, pa dritë.
Vetëm aktori kryesor,
që ka harruar edhe tekstin,
por që oborri e shpall
gjeni të kombit.
Dhe kjo është filozofia e fundit e tiranisë:
kur mediokriteti kolektiv
kurorëzon një njeri të zbrazur
si qendër të universit.
Vetëm kështu …
X.L. Nëntor 2025




