Endrit Shabani ka reaguar pas zgjedhjes së tij në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, duke e cilësuar votëbesimin e marrë në Kuvend si të rëndësishëm dhe surprizues për shkak të dinamikës politike që e shoqëroi procesin.
Në reagimin e tij, Shabani shprehet i habitur me qëndrimin e deputetëve të opozitës, të cilët fillimisht e mbështetën me firma sipas ligjit, por në seancën maratonë të së enjtes vendosën të tërhiqnin mbështetjen. Ai falënderoi 35 deputetët opozitarë që firmosën për kandidimin e tij, duke i siguruar se nuk do t’u japë arsye të pendohen për mbështetjen fillestare.
“Mbrëmë mora për kandidaturën time si Avokat i Popullit një votëbesim sa të rëndësishëm dhe personalisht prekës, aq edhe surprizues për nga dinamika e zhvillimit në sallën e Kuvendit. Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja.
Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës, fillimisht refuzuan të më jepnin qoftë edhe një firmë, megjithëse disa prej tyre i kam miq, me argumentin se PS nuk do të hynte në këtë punë të opozitës, por në momentin final më votuan që të gjithë, madje me votë të fshehtë, duke më besuar detyrën e Avokatit të Popullit. E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë dhe nuk e lija dot pa e shënuar.
Megjithatë, me keqardhje për vijën e pakuptueshme të partisë së tyre, dua t’i falënderoj sinqerisht 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre më dhanë mundësi të kandidoj për këtë funksion kushtetues. I siguroj se nuk do t’u jap arsye për të menduar ndonjëherë se bënë gabim që më mbështetën në fillim apo se bënë gjënë e duhur që nuk më votuan në fund”, shkruan Shabani.
Ndërkohë, Shabani vuri në dukje edhe qëndrimin e mazhorancës, e cila nuk i dha firmat për kandidim, por në votimin final e mbështeti unanimisht.
“Gjithashtu, nuk mund të mos i falënderoj po aq sinqerisht deputetët e mazhorancës, pavarësisht se jam i vetëdijshëm që, më shumë se për mua, vota e tyre ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie.
Dua të vlerësoj në veçanti faktin që duke më dhënë votën, deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi si skuadër funksionimit të shtetit, dhe kapërcyen njerëzisht faktin që unë, si aktivist i angazhuar në radhët e opozitës, kam bërë dhe thënë gjëra për të cilat me siguri nuk iu ka ardhur mirë”, shkruan ai.
Shabani u shpreh mirënjohës për mbështetjen e të dy krahëve politikë dhe premtoi se si Avokat i Popullit do të punojë me integritet dhe paanshmëri për të fituar respektin e të gjithëve.
“U shpreh respekt për nivelin dallueshëm më të lartë politik dhe i siguroj se në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme do të bëj më të mirën për të gëzuar respektin e të gjithëve”, përfundon ai.
Shabani u zgjodh me 85 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim me votim të fshehtë, ndërsa opozita zgjodhi të braktisë procesin e votimit.
Ai do të ushtrojë mandatin e tij 5-vjeçar, duke zëvendësuar në këtë post, Erinda Ballancën, e cila e drejtoi institucionin tre vite përtej përfundimit zyrtar të mandatit, transmeton rtsh.




