
Përgatiti Dashnim HEBIBI
Wallisellen, 07 dhjetor 2025 – Në afërsi të Cyrihut u zhvillua një ditë e jashtëzakonshme sportive, ku futbolli u shndërrua në urë lidhëse mes bashkatdhetarëve të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare. Në sallën moderne të sportit u mbajt turniri i dytë i futbollit në sallë, organizuar nga Shoqata “Koretini” në Zvicër, një aktivitet që prej dy vitesh po shndërrohet në traditë dhe në pikëtakim të komunitetit. Atmosferë shembullore, lojëra cilësore, pjesëmarrje masive dhe prezenca e figurave publike e sportive e bënë këtë turnir një ngjarje të paharruar për mërgatën.

Turniri që mblodhi 20 ekipe nga e gjithë diaspora shqiptare në Zvicër
Me fillim nga ora 08:00 e ditës së diel, fusha e sallës sportive u mbush me energji, emocione e garë të ndershme. 20 ekipe shqiptare nga kantone të ndryshme të Zvicrës dhe më gjerë konkurruan nën drejtimin profesional të katër gjyqtarëve, të cilët u përkujdesën që gara të zhvillohej me rregull e sportivitet.

Turniri u vlerësua për organizimin e shkëlqyer, disiplinën e ekipeve dhe fair-play-n që mbizotëroi gjatë gjithë ditës. Të pranishmit ndanë mendimin se aktiviteti po bëhet shembull i bashkimit të komunitetit shqiptar përmes sportit dhe vlerave kulturore.
Figura të njohura të pranishme në turnir
Ngjarja u nderua me pjesëmarrjen e personaliteteve nga politika, sporti dhe jeta shoqërore:
- Kadri Rahimaj, Kryetar i Komunës së Kamenicës,
- Vaxhid Rexhepaj, Shef i Kabinetit,
- Milaim Limoni, përfaqësues i OVL-UÇK, dega Kamenicë.

Gjithashtu ishin të pranishëm edhe:
- Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih,
- Milaim Rama, futbollisti i parë shqiptar që ka luajtur për Kombëtaren Zvicerane, figurë e respektuar e sportit,
- Prof. Burhan Morina, kryetar i Shoqatës “Topanica” në Zvicër.
- PhD. Dashnim HEBIBI, kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” në Zvicër

Pjesëmarrja e tyre i dha turnirit dimension të veçantë, duke e ngritur edhe më lart peshën e këtij organizimi në mërgatë.
Fjala e kryetarit të shoqatës për helveticALforum.ch: “Ne jemi si një familje”

Kryetari i Shoqatës “Koretini”, Valton Rexha, me profesion arkitekt, u kujdes që çdo detaj i turnirit të funksiononte në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai shprehu krenari për punën e shoqatës dhe për unitetin që e karakterizon komunitetin koretinas në Zvicër.
“Ne jemi si një familje dhe kemi raporte shumë të mira. Kemi ardhur për të ndërtuar diçka të përbashkët – për vendlindjen, për fshatin tonë dhe për fëmijët tanë”, theksoi ai.

Rexha kujtoi se turniri i parë është mbajtur vitin e kaluar, ndërsa këtë vit numri i ekipeve dhe pjesëmarrësve është rritur ndjeshëm.
Ai veçoi qëllimin humanitar të shoqatës ndër vite:
– ndërtim shtëpish në Koretin,
– mbështetje me bursa,
– organizim aktivitetesh edhe sportive në atdhe
– dhe forcim të lidhjeve mes brezave të mërgatës.

Shoqata numëron 200 anëtarë të rregullt, ndërsa kryesia, përfshirë Sokol Haxhiun, Gazmend Mehmetin, Ismet Klaiqin, Bajram Kshillovën, Rinor Kallabën, Behar Rexhën dhe Burim Dervishin, vazhdon të punojë vullnetarisht për të ardhmen e aktiviteteve.
Nga fazat e ndeshjeve deri në finale emocionuese
Ndeshjet u zhvilluan me formatin “4+1”, dhe pas shumë dueleve të forta, emocioneve dhe brohoritjeve nga tribuna, u luajtën gjysmëfinalet dhe finalja.
Në finale u përballën FC Haverat dhe Maliqi Gips Bau, ku pas një loje të ngushtë rezultati u mbyll 3:2 në favor të Haveratëve, të cilët u shpallën kampionë të turnirit.
Vendin e tretë e siguroi ekipi Issen Tiefbau, i cili gjithashtu u vlerësua për performancën e tij.

Atmosfera festive u plotësua edhe me ushqime, pije dhe momente shoqëruese, ku u panë familje të tëra, fëmijë të vegjël dhe sportdashës të të gjitha moshave.

Një aktivitet që ndërton ura dhe traditë
Organizatorët dhe mysafirët u larguan të kënaqur, duke e cilësuar turnirin si një sukses të plotë – jo vetëm sportiv, por edhe komunitar. Kryesia e shoqatës vlerësoi në mënyrë të veçantë praninë e kryetarit të Komunës së Kamenicës, duke e konsideruar si mbështetje simbolike për mërgatën.

Turniri dëshmoi edhe njëherë se brezi i ri i mërgatës po rritet me kulturë sporti, bashkimi dhe përkushtim ndaj rrënjëve të veta. Synimi për vitin e ardhshëm është që aktiviteti të shndërrohet në festë të vërtetë familjare, ku të ndërthuren sporti, arti dhe çmallja mes bashkatdhetarëve.

Turniri i futbollit të Shoqatës “Koretini” në Wallisellen u përmbyll si një ngjarje shembullore që bashkoi komunitetin shqiptar në Zvicër në një ditë plot sport, respekt dhe solidaritet. Përmes iniciativave të tilla, mërgata jo vetëm që forcon lidhjet mes vete, por edhe kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë për vendlindjen. Me entuziazmin e krijuar dhe përkushtimin e organizatorëve, pritet që ky turnir të vazhdojë të rritet dhe të shndërrohet në traditë të dashur për brezat që vijnë.

Në fund, kryesia e shoqatës falënderoi të gjithë ata që kontribuan – ekipet, mysafirët, sponsorët dhe vullnetarët – duke theksuar se ky sukses është i përbashkët, një dëshmi e fuqisë së komunitetit shqiptar në Zvicër, transmeton helveticALforum.ch.
LAJMI I DJESHËM PËR TURNIRIN.;




