Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka paralajmëruar për një moment kritik në historinë botërore, duke iu referuar afatit që i ka dhënë Iranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit. Trump i dha Teheranit afat deri në mesnatë ndërsa u shpreh se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u rikthyer më kurrë”.
Ai dha një element shprese kur tha se “ndoshta diçka e mrekullueshme në mënyrë revolucionare mund të ndodhë”.
“Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u rikthyer më kurrë. Nuk dua që kjo të ndodhë, por me gjasë do të ndodhë. Megjithatë, tani që kemi një ndryshim të plotë dhe total të regjimit, ku mbizotërojnë mendje më të zgjuara dhe më pak të radikalizuara, ndoshta mund të ndodhë diçka revolucionare dhe e mrekullueshme. Kush e di? Do ta zbulojmë sonte, në një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë dhe komplekse të botës. 47 vite zhdukje, korrupsion dhe vdekje më në fund do të marrin fund. Zoti i bekoftë njerëzit e mrekullueshëm të Iranit!”, shkruan Trump në një postim në rrjetet sociale.
Deklaratat e fundit vijnë në një moment tensioni të lartë në rajon, ndërsa kriza për Ngushticën e Hormuzit vazhdon të mbajë në ankth tregjet globale dhe politikën ndërkombëtare, transmeton euronewsal.




