Gjatë Forumit Ekonomik Botëror (WEF) 2026 në Davos, presidenti amerikan Donald Trump shpalli zyrtarisht krijimin e një strukture të re ndërkombëtare të quajtur “Këshilli i Paqes”, të cilin e përshkroi si një mekanizëm vendimmarrës të aftë për të zgjidhur konfliktet më të mëdha globale.
Në fjalimin e tij, Trump deklaroi se sapo Këshilli të jetë plotësisht i përbërë, ai do të ketë fuqi të plotë veprimi:
“Kur Këshilli të jetë i kompletuar, ne mund të bëjmë gjithçka.”
Ai theksoi se ky organ do të jetë më efikas se organizatat ekzistuese ndërkombëtare, duke përmendur konkretisht Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe pse la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të.
Gaza në qendër të strategjisë
Një pjesë qendrore e prezantimit ishte Gaza, e cila u paraqit si pika e nisjes së vizionit të ri për paqen në Lindjen e Mesme. Trump e quajti Gazën “vendndodhjen perfekte”, duke përmendur pozicionin bregdetar dhe potencialin për zhvillim ekonomik.
Sipas tij, krijimi i Këshillit të Paqes ka nisur pikërisht nga ky territor dhe do të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera globale. Ai deklaroi se lufta në Gaza po përfundon dhe se Hamas duhet të çarmatoset plotësisht, përndryshe “nuk do të ketë të ardhme”, tranmeton 20min.ch
Masterplani për rindërtim dhe investime
Jared Kushner dhe Steve Witkoff prezantuan një masterplan për Gazën, i cili parashikon:
- çarmatimin e plotë të grupeve të armatosura,
- pastrimin e rrënojave dhe rindërtimin e infrastrukturës,
- investime të mëdha ndërkombëtare,
- krijimin e vendeve të punës dhe stabilitet afatgjatë.
Kushner theksoi se investimet në Gaza janë të rrezikshme, por të domosdoshme, dhe se ky plan është bërë i mundur falë bashkëpunimit me disa partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Katarin, Izraelin dhe Turqinë. Ai pretendoi gjithashtu se në Gazë nuk ka më uri dhe se nevojat bazë të popullsisë janë përmbushur, megjithëse këto deklarata nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Këshilli i Paqes si “bord veprimi”
Marco Rubio e përshkroi Këshillin jo thjesht si një forum diplomatik, por si një “Board of Action”, ku ish-kundërshtarë ulen në të njëjtën tryezë për të marrë vendime konkrete. Ai vlerësoi rolin e Trumpit, duke e quajtur presidencën e tij “historike”, transmeton 20min.ch Nickolay Mladenov, ish-i dërguar i OKB-së, u prezantua si drejtues i Këshillit dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të lënë mënjanë paragjykimet dhe t’i japin një shans kësaj nisme të re ndërkombëtare.
Nënshkrimi i kartës dhe pjesëmarrja ndërkombëtare
Karta themeluese e Këshillit të Paqes u nënshkrua nga përfaqësues të shumë vendeve, duke e bërë atë një organizatë zyrtare ndërkombëtare. Mes shteteve pjesëmarrëse janë Bahrain, Maroku, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Pakistani, Azerbajxhani, Kosova, Indonezia dhe të tjera. Trump e mbylli fjalimin duke deklaruar se vizioni për Gazën dhe për Këshillin e Paqes është:
“Më i madh dhe më i mirë se çdo gjë tjetër që është bërë ndonjëherë.”
Sipas tij, kjo nismë shënon fillimin e një epoke të re për paqen globale, ku fuqia politike dhe ekonomike do të përdoret për të ndërtuar stabilitet dhe zhvillim, duke nisur nga Gaza dhe duke u shtrirë më pas në mbarë botën, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch




