Crans-Montana (VS) – Një tragjedi e rëndë ka tronditur Zvicrën në natën e ndërrimit të viteve. Gjatë një feste të Vitit të Ri në resortin turistik Crans-Montana, të paktën 40 persona humbën jetën dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën, shumë prej tyre në gjendje kritike. Autoritetet e Kantonit të Valais njoftuan të shtunën se janë identifikuar viktimat e para. Bëhet fjalë për katër shtetas zviceranë, dy vajza të moshës 16 dhe 21 vjeç dhe dy djem të moshës 16 dhe 18 vjeç, transmeton 20min.ch. Pas përfundimit të procedurave zyrtare të identifikimit nga policia kantonale, ekipet DVI (Disaster Victim Identification) dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, trupat e pajetë u janë dorëzuar familjeve. Autoritetet kanë theksuar se, nga respekti për të afërmit, nuk do të publikohen detaje të tjera për momentin.
Të plagosurit rëndë dërgohen jashtë Zvicrës
Për shkak të numrit të madh të të plagosurve me djegie të rënda, Zvicra ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Deri tani, nëntë pacientë në gjendje të rëndë janë transferuar në Gjermani, disa në bazë të marrëveshjeve dypalëshe, ndërsa të tjerë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Spitale të specializuara në Berlin dhe Tübingen kanë konfirmuar pranimin e pacientëve, transmeton 20min.ch. Autoritetet federale zvicerane njoftojnë se rreth 50 pacientë pritet të transferohen në ditët në vijim drejt spitaleve të specializuara në Gjermani, Francë, Itali, Belgjikë dhe vende të tjera evropiane, pasi kapacitetet vendase nuk janë të mjaftueshme për trajtim afatgjatë.
Fëmijë në gjendje kritike
Në Spitalin e Fëmijëve në Zyrih po trajtohen pesë të mitur, të gjithë me djegie të shkallës së tretë dhe në gjendje kritike, të mbajtur në koma artificiale. Mjekët raportojnë se shumë prej tyre kanë dëmtime të rënda të rrugëve të frymëmarrjes dhe do t’u nevojiten dhjetëra ndërhyrje kirurgjikale gjatë muajve në vijim.
Shkaku i zjarrit dhe hetimet
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të Kantonit Valais, zjarri vdekjeprurës dyshohet se është shkaktuar nga fontana fishekzjarresh të vendosura mbi shishe shampanje, të cilat u ndezën shumë pranë tavanit të lokalit. Flakët u përhapën me shpejtësi, ndërsa një shkallë e ngushtë daljeje, e cila sipas dokumenteve ishte ngushtuar gjatë një rinovimi në vitin 2015, u kthye në një pengesë fatale për njerëzit që përpiqeshin të largoheshin.
Reagime dhe solidaritet
Ministri zviceran i Drejtësisë, Beat Jans, vizitoi Crans-Montana për të nderuar viktimat, ndërsa autoritete nga vende të tjera, përfshirë Italinë, kanë shprehur solidaritet dhe mbështetje për familjet e prekura. Edhe kompania Google ka shfaqur një simbol zie në shenjë solidariteti me viktimat e kësaj fatkeqësie. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë vazhdojnë, ndërsa Zvicra ndodhet në ditë zie për humbjen e madhe të jetëve, shumica prej tyre të rinj, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticAlforum.ch




