2.7 C
Zurich
Thursday, January 1, 2026
spot_img
spot_img

Tragjedi në natën e Vitit të Ri në Crans-Montana-Zvicër: Dhjetëra të vdekur pas shpërthimeve në një bar

Duhet ti lexosh

Crans-Montana, Zvicër – 1 janar 2026

Ajo që duhej të ishte një natë feste dhe gëzimi për Vitin e Ri, u shndërrua në një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në Zvicër. Në orët e para të mëngjesit të 1 janarit 2026, një zjarr i shoqëruar me shpërthime shkatërrimtare përfshiu lounge-barin “Le Constellation” në Crans-Montana, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe shumë të plagosur, shumica prej tyre të rinj.

Si ndodhi tragjedia?

Sipas autoriteteve kantonale të Valais (Wallis), rreth orës 01:30 shpërtheu një zjarr në bodrumin e lokalit, ku ndodheshin mbi 100 persona, ndërsa kapaciteti maksimal i barit ishte rreth 400 persona. Pak minuta më vonë ndodhi një fenomen i njohur në dinamikën e zjarreve si “flashover” – një kalim i menjëhershëm nga një zjarr fillestar në një zjarr të plotë, ku të gjitha sipërfaqet e djegshme në një hapësirë të mbyllur marrin flakë njëkohësisht, transmeton 20min.ch. Ky flashover shkaktoi një ose disa shpërthime të fuqishme, të cilat përhapën zjarrin edhe në katin përdhes. Video të publikuara më vonë në rrjetet sociale tregojnë momentin kur tavani merr flakë, ndërsa disa persona arratisen, kurse të tjerë duken të pavetëdijshëm për rrezikun ekstrem.

Operacion shpëtimi i paprecedentë

Autoritetet aktivizuan menjëherë një operacion masiv shpëtimi. U shpall “gjendje e veçantë” për të koordinuar ndërhyrjet emergjente. Në terren u angazhuan:

  • 10 helikopterë shpëtimi
  • 40 autoambulanca
  • 140 forca emergjente
  • Helikopterë nga Rega, Air Glaciers, Air Zermatt dhe madje edhe nga Italia
  • 3 avionë-ambulancë

Rreth 20 të plagosur rëndë u transportuan me ajër në spitale të ndryshme, përfshirë edhe Spitalin e Fëmijëve në Zyrih. Spitalet në Zvicrën perëndimore u mbingarkuan, me sallat e urgjencës dhe operacionit të mbushura plot.

Viktimat: shumë të rinj dhe edhe shtetas të huaj

Komandanti i Policisë Kantonale të Valais, Frédéric Gisler, konfirmoi se bëhet fjalë për dhjetëra të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, pa dhënë ende një shifër të saktë. Autoritetet theksuan se mes viktimave ka edhe shtetas të huaj.

Shumë nga viktimat ishin të rinj, të cilët kishin ardhur për të festuar hyrjen në Vitin e Ri. “Ishin njerëz që donin të fillonin vitin e ri me gëzim,” tha Philipp Simmen, përgjegjës për operacionet e helikopterëve në Rega.

Identifikimi i viktimave është ende në proces. Për këtë qëllim është kërkuar ndihmë edhe nga kantone fqinje, ndërsa Instituti Forensik i Cyrihut do të kryejë ekspertizën në vendngjarje. Për familjarët e të zhdukurve është hapur një linjë telefonike emergjente (Helpline: 0848 112 117).

 Hetimet: terrorizmi përjashtohet

Prokurorja e Përgjithshme e Valais, Béatrice Pilloud, deklaroi qartë se një atentat terrorist është absolutisht i përjashtuar. Hetimet fokusohen në shkaqet e zjarrit. Media lokale spekuloi për përdorimin e mjeteve piroteknike, por autoritetet theksuan se kjo nuk është ende e konfirmuar.

Po ashtu, mbetet për t’u sqaruar nëse lokali përmbushte standardet e sigurisë, por sipas prokurores është ende shumë herët për të dhënë një vlerësim për këtë aspekt.

 Reagime kombëtare dhe ndërkombëtare

Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, i cili mori detyrën po atë ditë, reagoi me fjalë të forta ngushëllimi:

“Ajo që duhej të ishte një moment gëzimi, u shndërrua në një zi që prek të gjithë Zvicrën dhe më gjerë.”

Ngushëllime erdhën edhe nga jashtë vendit. Presidenti francez dhe Ministria e Jashtme e Çekisë shprehën solidaritetin e tyre me Zvicrën dhe familjet e viktimave.

Tragjedia e Crans-Montana-s ka tronditur thellë opinionin publik zviceran dhe ndërkombëtar. Ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbardhur shkaqet e sakta të zjarrit dhe shpërthimeve, prioriteti mbetet kujdesi për të plagosurit, mbështetja për familjet e viktimave dhe nxjerrja e mësimeve për të shmangur tragjedi të tilla në të ardhmen, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch

( Foto ilustrim nga D.HEBIBI)

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme