Drejtoresha e Radio Televizionit Publik Shqiptar, Eni Vasili ka zbuluar të ftuarin special në natën finale të Festivalit të 64 të Këngës në RTSH, që do të zhvillohet në datat 17-18-19 dhe 20 dhjetor dhe ku do të garojnë 28 këngëtarë me këngët e tyre përkatëse.
Vasili ka publikuar në rrjetet sociale refrenin e këngës “Espresso macchiato” të këngëtarit Tommy Cash, i cili përfaqësoi Estoninë në Eurovizionin e këtij viti, teksa Shqipëria garoi me “Shkodra Elektronike”.
Në postimin e videos në rrjetin social në Instagram, Vasili e shoqëron me pyetjen se “kush e gjen te ftuarin special te RTSH në festivalin e 64 të këngës?”, ndërsa nga refreni i këngës “Espresso macchiato” mësojmë se bëhet fjalë për Tommy Crash, i cili do të interpretojë për publikun shqiptar në natën e 4-t të Festivalit.
View this post on Instagram
A post shared by ENI VASILI (@enivasili)
Artisti estonez Tommy Cash njihet për guximin e tij me aspektet vizuale dhe tingujt inovativë. Jo vetëm muzikant, ai njihet edhe si artist vizual i arrirë, që sjell trendet globale përmes këndvështrimit të tij personal shoqëruar edhe me sensin e humorit.
Pas ngjitjes në majat e skenës estoneze, suksesi i Tommy Cash u përhap shpejt edhe ndërkombëtarisht.
Ai ka zhvilluar turne në SHBA dhe Evropë duke performuar në disa nga festivalet më të mëdha, si Glastonbury, Sziget dhe Roskilde.
Përpjekjet artistike të Tommy-t janë mirëpritur në disa nga publikimet më të rëndësishme të modës, muzikës dhe filmit: Dazed ka lavdëruar mënyrën e tij të guximshme për të tërhequr vëmendjen ndaj temave sensitive; Vogue e ka karakterizuar si rebel; ndërsa VICE ka vënë në dukje “një aspekt krejt të veçantë dhe ekstrem që sjell përmes artit të tij, një djalosh i ri me talent të shumëfishtë dhe kreativ”.
Tommy Cash (emri i vërtetë i të cilit është Tomas Tammemets) është reper, këngëtar, kërcimtar dhe artist vizual estonez, i njohur për stilin provokues dhe humorin surreal post-sovjetik.
Në vitin 2025, ai përfaqësoi Estoninë në Eurovision Song Contest me këngën “Espresso Macchiato”, duke arritur vendin e tretë dhe duke shkaktuar polemika për tekstin e tij satirik, transmeton rtsh.




