Shqipëria i ka të gjitha: nga plazhet e bukura, pushimet në qytet dhe historia interesante, tek parqet kombëtare malore, qytetet e vjetra, por edhe ushqime të shijshme. Kështu e nis artikullin për vendin tonë britanikja “TimeOut” në një shkrim nga eksperti i udhëtimeve Stuart Butler.
Teksa renditen 12 vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri për vitin 2026, e para në listë është Tirana me muze, galeritë, baret dhe restorantet.
Britanikja “TimeOut” më tej sugjeron të vizitohet Qafa e Llogorasë, që ofron një pamje spektakolare dhe panoramike të Detit Jon me plazhet aty pranë.
Berati i bukur, me shtëpitë e grumbulluara pranë shpatit të kodrës së pyllëzuar dhe me dritaret që reflektojnë rrezet e diellit mbi ujin e lumit Osum, duhet të jetë patjetër në itinerarin e vizitave, shkruan “TimeOut”. Pjesë e këtij artikulli për Shqipërinë është edhe Gjirokastra, ku falë muzeut, shtëpive mahnitëse të epokës osmane prej guri, rrugëve me kalldrëm dhe dyqaneve të suveniresh, tërheq gjithnjë e më tepër turistë nga e gjithë bota.
Një tjetër atraksion turistik në fokusin e artikullit të prestigjiozes britanike është edhe Butrinti, që konsiderohet si vendi historik më mbresëlënës në Shqipëri. Butrinti është një qytet i lashtë me gurë, ku i gjithë kompleksi është i vendosur nën pyllin e harlisur dhe në brigjet e një lagune të qetë bregdetare.
Teksa përmenden pushimet buzë detit, “TimeOut” ndalet tek Ksamil me ishujt dhe një sërë kepesh e gjire, që kanë plazhe të mrekullueshme të Rivierës Shqiptare. Më tej, në Detin Adriatik, media britanike sugjeron për vizitorët edhe bregdetin e Durrësit, ku përveç plazheve ka edhe arkitekturë të shekullit të 20-të për të eksploruar.
Gjithashtu, Alpet Shqiptare me luginat e mbushura me livadhe, kullota dhe liqene janë një vend i mrekullueshëm për ecje në natyrë.
Në përmbyllje të artikullit për 12 vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri për 2026, britanikja “TimeOut” sugjeron Dhërmiun, ku mund të kaloni ditë të bukura duke bërë plazh dhe duke eksploruar gjiret e fshehura të Rivierës së bukur, transmeton tvklan.




