Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), z. Lulzim Rafuna, mori pjesë në takimin themelues të Komitetit të Veprimit Stuttgart–Kosovë, një nismë e rëndësishme që synon thellimin dhe strukturimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Në fjalën e tij, z. Rafuna theksoi se ky komitet përfaqëson një kthesë konkrete dhe praktike në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve, duke kaluar nga qasja formale në veprime të drejtpërdrejta dhe të matshme.
“Ky komitet nuk është simbolik – është një mekanizëm konkret koordinimi që na ka munguar deri më tani. Ai do të shërbejë si një adresë e drejtpërdrejtë për partnerët tanë, bizneset gjermane, investitorët dhe sipërmarrësit e diasporës, duke ofruar një platformë të besueshme për krijimin e lidhjeve dhe lehtësimin e hyrjes në tregun e Kosovës,” u shpreh Rafuna.
Ai njoftoi gjithashtu se Oda Ekonomike e Kosovës, në një të ardhme të afërt, do të hapë zyrën e saj përfaqësuese në Stuttgart. Sipas tij, kjo zyrë do të ketë një rol kyç në orientimin dhe kanalizimin e investimeve drejt sektorëve prodhues, si dhe në promovimin e eksporteve kosovare me vlerë të shtuar në tregun gjerman.
Themelimi i Komitetit të Veprimit Stuttgart–Kosovë shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së pranisë ekonomike të Kosovës në Gjermani, forcimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe aktivizimit më të madh të potencialit ekonomik të diasporës, transmeton Oda Ekonomike e Kosovës, përcjell helveticALforum.ch




