POSTIMET E FUNDIT

THEMELIMI I KOLEGJIT PAN-SHQIPTAR TË KIRURGËVE

Nga Prof. Dr. Rifat Latifi

Është nder dhe kënaqësi e madhe për mua të kthehem sërish në këtë shtëpi të shenjtë, në Vatrën tonë, për të ndarë me ju disa nga aktivitetet që po bëjmë për të mirën e popullit dhe vendit tonë. Ju falënderoj për mikpritjen dhe që jeni bashkuar këtu sot.

Sot do t’ju flas për dy çështje të rëndësishme.

Në fillim, dua t’ju njoftoj se më 6–7 shkurt të këtij viti, në Tiranë kemi krijuar Kolegjin Pan-Shqiptar të Kirurgëve, si një ombrellë për të gjithë kirurgët shqiptarë, për të përdorur një shprehje të madhe të Nolit, të katandisur gjithandej nëpër botë. Tani do ta kemi shtëpinë tonë të madhe, dhe të gjitha degët e kirurgëve kudo ku ka shqiptarë do të jenë nën një kulm.

Sot, kur po flas para jush si kryetar themelues i Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve, unë, si kurrë më parë, jam i mbushur me një ndjenjë të thellë shprese për të ardhmen e kirurgjisë shqiptare, mbretëreshës së të gjitha degëve mjekësore.

Për breza me radhë, kirurgët shqiptarë, kudo që kanë ushtruar profesionin e tyre, kanë demonstruar përkushtim ndaj ekselencës në kirurgji. Puna e tyre është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe aftësive profesionale, shpesh përballë sistemeve të fragmentuara dhe komplekse të kujdesit shëndetësor, por edhe në sistemet më të avancuara të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën.

Të frymëzuar nga rrugëtimi shembullor i kolegjeve kirurgjikale të themeluara ndër shekuj, duke filluar me të parin në botë, Kolegjin Mbretëror të Kirurgëve të Edinburgut, të themeluar në vitin 1505 nën patronatin e Mbretit James IV, si dhe nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve, i themeluar në vitin 1913, i cili ishte edhe model për ne kur krijuam Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës më 17 dhjetor 2018, ne jemi bërë bashkë sot në qytetin e bukur të Tiranës për të themeluar Kolegjin Pan-Shqiptar të Kirurgëve.

Ky kolegj nuk do të veprojë thjesht si një forcë kolektive për transformimin e edukimit kirurgjikal, praktikës, kërkimit shkencor dhe cilësisë së kujdesit kirurgjikal, por do të punojë edhe për të vendosur dhe zbatuar standarde etike dhe për të avokuar për cilësi të lartë në kujdesin kirurgjikal.

Ne do t’i bëjmë të gjitha këto duke ruajtur traditat tona të pasura kirurgjikale dhe duke nderuar të kaluarën, duke ndërtuar të ardhmen dhe duke përqafuar inovacionet moderne, përfshirë edhe rolin e Inteligjencës Artificiale në praktikën dhe edukimin kirurgjikal.

Kolegji do të qëndrojë si një entitet profesional i pavarur, me mision që të ndihmojë autoritetet përkatëse qeveritare dhe institucionet e akredituara për ngritjen e këtyre standardeve.

Kolegji synon gjithashtu të mishërojë parimet e programeve kombëtare të përmirësimit të cilësisë kirurgjikale të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, siç janë regjistrat dhe menaxhimi i kancerit, regjistrat dhe menaxhimi i traumave, regjistri i kirurgjisë bariatrike dhe programet e tjera kirurgjikale, si dhe akreditimi i qendrave të ekselencës sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

KPSHK do të këmbëngulë që specializantët e kirurgjisë të mos jenë thjesht vizitorë apo shërbëtorë në sallat e operacionit, por studentë të vërtetë të kirurgjisë, të cilët, pasi të përfundojnë specializimin, do të jenë në gjendje të ofrojnë kujdes kirurgjikal kompleks dhe të sigurt.

Në fund, miqtë e mi të nderuar, jam plotësisht i vetëdijshëm se udhëtimi para nesh do të jetë sfidues, por gjithashtu shumë premtues, dhe se do t’ia dalim me sukses. Ky sukses do të matet me gjenerata, jo me një apo një tjetër mandat politik, apo me një apo një tjetër drejtues të këtij kolegji.

Më lejoni të kujtoj thënien e famshme të njërit prej presidentëve të mi të preferuar të Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, i cili tha:

“Nuk ka kufij për atë që njeriu mund të bëjë ose sa larg mund të shkojë, nëse nuk shqetësohet se kush i merr meritat.”

Merita për krijimin e KPSHK u takon mësuesve tanë të kirurgjisë dhe familjeve tona, të cilat na edukuan ta duam kombin tonë, pavarësisht se ku jetojmë apo ku kemi lindur. Ky është shansi ynë për të skalitur një trashëgimi të re – një trashëgimi ku ekselenca në kirurgji është e garantuar, ku kontributet tona shpëtojnë jetë dhe ku përkushtimi ynë do të ndriçojë për brezat që do të vijnë.

Tani më lejoni t’ju flas për një program tjetër të rëndësishëm dhe t’ju prezantoj Qendrën e Kosovës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara, të themeluar në partneritet me Universitetin e Prishtinës dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Kjo qendër synon të bëhet qendër e përbashkët për organizatat e kirurgjisë nga Presheva në Mal të Zi, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare, kudo ku kirurgët dhe studentët e kirurgjisë janë të pranishëm.

Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit mes fondacionit International Virtual e-Hospital (IVeH), të cilin shumë shqiptarë-amerikanë e kanë mbështetur, dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës (KCS). Së bashku, këto institucione kanë njohur nevojën për të zhvilluar një platformë bashkëkohore që do të mbështesë edukimin e avancuar mjekësor, trajnimin profesional dhe kërkimin shkencor në Kosovë, por edhe në rajonin më të gjerë të Ballkanit.

Investimi në këtë qendër do të thotë mbështetje për zhvillimin e kuadrit të kujdesit dhe shkencës mjekësore, në mënyrë që ai të jetë më i përgatitur, më i trajnuar dhe më i lidhur me komunitetin ndërkombëtar mjekësor.

Ne besojmë fuqimisht se, me mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve akademike, organizatave profesionale, partnerëve ndërkombëtarë dhe secilit prej nesh, kjo qendër do të konsolidohet si një institucion kryesor për trajnim mjekësor, kërkim dhe inovacion në Evropën Juglindore dhe më gjerë.

Njëzet e tre vjet më parë vendosëm një tabelë në Qendrën e Telemjekësisë të sapohapur në Kosovë ku shkruhej:

“Dështimi nuk është opsion.”

Kjo filozofi çoi në zhvillimin e programeve të telemjekësisë në të gjithë Kosovën, në Shqipëri, në Cabo Verde në Afrikë, në Vietnam dhe në vende të tjera të botës, duke u bërë një model për telemjekësinë globale. Sot e them përsëri: “Dështimi nuk është opsion” për KPSHK.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB