Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmbyllur fjalimin e tij para trupit gjykues, duke përsëritur pretendimin se nuk ka asnjë fajësi në lidhje me akuzat ndaj tij.
Në fillim të paraqitjes së tij, Thaçi ka uruar shqiptarët me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, raporton Telegrafi.
“Për gati tri vite në këtë sallë ju keni dëgjuar akuzat e prokurorisë. Ju keni dëgjuar edhe të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka folur për periudhën e fillimit të luftës në Kosovë, duke theksuar se në kohën e masakrave të vitit 1998 ishte student në Zvicër.
“Në kohën e masakrave në fillim të vitit 1998 isha student në Cyrih. Unë nuk po bëja plane si ta marr kontrollin e Kosovës, po bëja plane për provimet në fakultet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se vendimi për t’u kthyer në Kosovë erdhi si reagim ndaj dhunës ndaj popullatës civile.
“Duke i parë masakrat në vendin tim nuk mund të qëndroja indiferent, vendosa të kthehem në Kosovë. Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë. Është ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave, si dhe për përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka përmendur edhe dënimin në mungesë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke thënë se “regjimi i tij më kishte dënuar në mungesë për kinse veprimet e jashtëligjshme, ashtu siç kishte dënuar në mungesë edhe presidentin Klinton”.
Në fund, ish-presidenti ka ritheksuar se vendimi për t’u kthyer në Kosovë në vitin 1998 ishte i motivuar nga përgjegjësia ndaj popullit të tij.
“Vendosa të kthehem në Kosovë pasi nuk mund të qëndroja anash derisa populli im përballej me dhunë. Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë”, ka përfunduar Thaçi, transmeton telegrafi.




