Smartfonët janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, madje edhe për fëmijët. Megjithatë, përdorimi i tyre në shkolla po paraqet sfida të reja, dhe në Zvicër po zhvillohet një debat intensiv mbi mënyrën më të mirë për t’i menaxhuar.
Sipas një studimi të ri dhe përfaqësues, shumica e popullsisë zvicerane është pro masave restriktive: tetë nga dhjetë persona mbështesin ndalimin e përdorimit të telefonave gjatë orëve të mësimit, dhe një pjesë e madhe edhe në të gjithë ambientin shkollor.
Statistikat kryesore nga studimi:
- 92% e të anketuarve mbështesin ndalimin e telefonave gjatë orëve të mësimit në shkollat fillore.
- 81% janë për ndalimin edhe në shkollat e mesme dhe gjimnaz.
- Vetëm grupmosha më e re, 14-19 vjeç, është kryesisht kundër ndalimit pas shkollës fillore, transmeton 20min.ch. Përtej orëve të mësimit, 84% e të anketuarve janë dakord për një ndalim të përgjithshëm të telefonave në ambientet e shkollës fillore, përfshirë edhe pushimet. Në shkollat e mesme, mbështetja është pak më e ulët, 68%, por pjesëmarrësit theksojnë rëndësinë e përdorimit të telefonave në mënyrë të qëllimshme dhe pedagogjike, veçanërisht pas klasës së shtatë, ku 73% e të anketuarve e shohin këtë si të dobishëm.
Efektet pozitive priten të jenë të mëdha
Shumica e pjesëmarrësve argumentojnë se ndalimi i telefonave do të ketë efekt pozitiv në:
- Sjelljen dhe fokusin gjatë mësimit (83%)
- Marrëdhëniet sociale midis nxënësve (80%)
- Mirëqenien psikologjike të fëmijëve (78%)
Edhe vetë të rinjtë 14-19 vjeç besojnë se efektet pozitive të ndalimit do të mbizotërojnë mbi ato negative.
Roland Zeindler, drejtori i Marketagent Schweiz AG, komentoi:
“Rezultatet tregojnë qartë se nuk bëhet fjalë për një kundërshtim ideologjik ndaj telefonave, por për strukturë dhe orientim. Smartfonët nuk duhet të dominojnë mjedisin shkollor, por të përdoren në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të dobishme.” Kjo studim nënvizon se edhe pse teknologjia është pjesë e pandashme e jetës moderne, shkollat duhet të gjejnë balancën midis përdorimit të saj dhe krijimit të një mjedisi ku nxënësit mund të fokusohen dhe të rriten socialisht dhe emocionalisht, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch




