
NGA SABINA DAROVA
Nderja e rrobave për t’u tharë, për gjininë femërore është një rit i heshtur, një art i vogël që përsëritet çdo ditë.
Duart që i shkundin, sytë që matin hapësirën, durimi që vendos distancën mes një cope dhe tjetrës, gjithçka ka një rend të padukshëm, një harmoni që nuk kërkon duartrokitje, por nganjëherë një gjykim. Ky çast i thjeshtë ka magjepsur syrin fotografik dhe atë kinematografik, duke e kthyer në poezi të përditshmërisë.
Mjafton të sjellim në kujtesë telat e oborreve të dikurshme, që rëndonin nga bardhësia e çarçafëve, si re të ulura për të pushuar. Sa puthje janë rrëmbyer mes tyre nëpër filma, sa dëshira janë fshehur në palat e pambukut, duke ushqyer fantazi që nuk guxojnë të thuhen me zë. Apo telat që lidheshin nga një pallat në tjetrin, në rrugicat e ngushta të qyteteve bregdetare italiane, ku rrobat vareshin si letra të hapura dhe shtëpitë flisnin me njëra-tjetrën.
Në telat e varur rrëfehet jeta: pasuria dhe mungesa, e reja dhe e vjetra, kujdesi dhe kursimi. Edhe aroma që shpërndajnë në ajër tregon më shumë sesa fjalët: një shtëpi të rregullt, një dorë e duruar, një ekonomi e menduar. Telat janë një gjuhë pa alfabet, por e kuptueshme për të gjithë.
Për gjininë femërore, renditja e veshjeve mbetet një kod i trashëguar. Ajo u mësohet vajzave në moshën e pubertetit, si një mësim i fshehtë mbi jetën: të presësh, të rregullosh, të ndash hapësirën, të mos e pushtosh gjithçka menjëherë. Çdo bluzë gjen vendin e vet, çdo fustan merr frymë.
Për burrat, telat nuk janë poezi, por mjet. Rrobat nuk varen, por vendosen. Qëllimi është vetëm tharja, sa më shpejt, sa më pa mendim. Kaloriferët, televizorët, karriget dhe dollapët shndërrohen në tela të improvizuar. Ngjyrat përzihen, gjatësitë rrëzohen mbi njëra-tjetrën, rendi nuk ka asnjë rëndësi. Është një kaos i çastit, i ndershëm dhe i nxituar.
Mes këtyre dy mënyrave të nderjes së rrobave qëndron një dallim i thellë: njëra sheh jetën si kompozim, tjetra si zgjidhje. Dhe telat, të heshtur, vazhdojnë të mbajnë jo vetëm rroba që thahen, por dy mënyra të ndryshme të të jetuarit.




