Nga Dashnim HEBIBI
Langenthal përjetoi më 17 janar një nga ato ngjarje që nuk harrohen lehtë. Mbi 300 bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare u bënë një, të bashkuar jo thjesht në një sallë, por në zemër, në mendim dhe në qëllim. Ishte një mbrëmje uniteti, reflektimi dhe mirënjohjeje, ku u ndje fuqishëm fryma e përbashkët e mërgatës shqiptare.
Na bashkoi amaneti i Ismail Qemali Bej Vlorës: ruajtja e gjuhës dhe traditave tona, dashuria për njëri-tjetrin dhe largimi nga egoja e zilia. Kjo frymë u reflektua në çdo përqafim, në çdo fjalë dhe në çdo emocion të asaj nate të veçantë.
Ambasadori i RMV në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri mbetet simbol i diplomacisë shembullore dhe i përkushtimit ndaj kombit. Mbrëmja dëshmoi se mërgata shqiptare ka elitën e saj, njerëz të fjalës, të dinjitetit dhe të veprimit.
Falënderimi për botimin e librit: “Rexhep Demiri Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, shkon për secilin që ishte i pranishëm, për ata që udhëtuan kilometra të tëra nga Gjermania, Amerika, Italia dhe Austria, duke lënë pas angazhimet e tyre për të qenë pjesë e këtij momenti të rëndësishëm. Çdo sakrificë, çdo minutë e kushtuar kësaj mbrëmjeje, është një investim në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.
Edhe pse na mungoi redaktori dhe disa miq për arsye të kuptueshme, mbrëmja mbeti e plotë në shpirt dhe në mesazh. Sekreti u ruajt, fjala u mbajt dhe besimi u forcua. Me lot në sy dhe zemër plot, falënderimi është i pafund për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj ngjarjeje.
Së bashku me mikun Florim Useini, në ditët në vijim do të analizohen disa çështje dhe do të përcillet një falënderim edhe më i detajuar për mbështetjen dhe bashkëpunimin e treguar.
Nëse ka pasur ndonjë gabim, kërkohet ndjesë me përulësi. Qëllimi ishte i vetëm: të bëhej diçka e mirë për komunitetin. Nga më i vogli te më i moshuari, të gjithë ishin pjesë e një mozaiku që dëshmon se kur jemi bashkë, dimë të lëmë gjurmë.
Ne vazhdojmë. Një jetë kemi dhe ajo po kalon. Le ta jetojmë me dashuri mes vete, me respekt dhe me vepra që mbeten.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.
Shumë shpejt do të publikohet edhe një reportazh më i gjerë për këtë mbrëmje domethënëse.
Foto nga Daut Luboja




