
Nga Shefqet CAKOLLI
Pas 45 vjetësh, u kthyem prapë te njëri-tjetri,
Si letra të vjetra që s’kanë pushuar kurrë së foluri.
Me ftesa te pa nenshkruara,
Në sytë tanë të moshuar,
U ndez përsëri një dritë e re,
Ajo e kohës kur ishim të rinj,
Dhe bota na dukej e lehtë si këngë.
U takuam heshtas,
Kur koha u drodh si xham në pëllëmbë,
Rrudhat nuk ishin plagë,
Por harta ku rruga e jetës kishte shkruar,
Me bojë shiu, me diell, me mall.
Zërat, ishin pak më të thellë,
Pak më të ngadalshëm,
Por qeshj, qeshja ishte e njëjtë,
Si ai tingulli që s’e mëson dot askush,
Veç shpirti i një gjenerate,
Që ka ndarë bankën, bukën, ëndrrën,
Dhe frikën e parë.
I përmendëm emrat e munguar me respekt,
Si t’vendosnim lule në një faqe të heshtur.
Qe jetojn pa i ujitur,
Kujtimet për ta.
Dikush s’erdhi dot,
Por erdhi kujtimi pas tyre,
Ul mes nesh, pa bërë zhurmë,
Me na pa me atë buzëqeshjen
që s’plaket kurrë.
Në një shtrëngim duarsh,
U mblodhën vite të tëra,
Udhëtime, mërgime, shtëpi të ndërtuara,
Fëmijë të rritur, plagë të mbyllura,
Dhe ca ëndrra që ende rrinë zgjuar,
Si yje mbi një fshat të largët.
E megjithatë, në atë takim,
Ne u bëmë sërish maturantë,
Me zemrën që rreh pa leje,
Me kujtime që vrapojnë pa u lodhur,
Me atë ndjesinë e rrallë,
Si jeta, sa herë që jeta na bashkon,
Na fal edhe një pranverë.
Dhe kur u ndamë,
Asnjëri s’tha “lamtumirë” si dikur,
Sepse tash e dimë,
koha s’na pyet.
Por në shpirt na mbeti një premtim i butë,
Të mos i lëmë kujtimet të pluhurosen,
Ttë mos i lëmë miqësitë të heshtin,
Se jemi si fletët e së njëjtës histori,
Të shkruar larg,
Por me të njëjtën dorë.
Pas 45 vjetësh,
ne u takuam, me zbulu rinin,
Nuk është moshë,
Është një emër i përbashkët,
që na thërret ende,
Sa herë që shohim njëri-tjetrin
Dhe na dridhet zemra,
Si në ditën e parë.
Prishtine, 12.01.2026




